Kosova ka liruar donacion për spitalin e veriut të Mitrovicës

Taksa 100% ndaj Serbisë nuk po bëhet për të dëmtuar serbët e Kosovës

Përkundër takses 100% ndaj produkteve serbe, Kosova sot ka liruar donacionin lidhur me medikamente dhe pajisje mjekësore dedikuar Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut me vlerë prej €242,356. Kjo është bërë e ditur nga Avni Arifi, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për mallërat e importuara nga Serbia nuk prek mirëqenien e qytetarëve të Kosovës të asnjë komuniteti, por taksa është e vendosur konkretisht ndaj shtetit të Serbisë.

“Qeveria e Kosovës kurrë s’ka marrë veprime që cenojnë apo rrezikojnë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve të saj pavarësishtë përkatsisē etnike. Veprimet tona po e zhveshin propagandën e qeverisë së Serbisë se taksa 100% krijon krizë humanitare. Nuk ka krizë. Kosova sot ka liruar donacionin lidhur me medikamente dhe pajisje mjekësore dedikuar Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut me vlerë prej €242,356. Taksa është për shtetin e Serbisë dhe politikën e saj e jo për qytetarët tanë.”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia ka ngjallur shumë reagime si brenda vendit dhe jashtë. Ndërkohë qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës, kanë mbajtur protesta kundër kësaj takse. /21Media

Back to top button