Njohësit e çështjeve politike, me qëndrime të ndara

Njohësit e çështjeve politike, me qëndrime të ndara

Vonimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës ka krijuar konfuzitet lidhur me atë se cila do të jetë formula e ardhshme qeverisëse në Kosovë.

Mundësia për një kryeministër konsensual i gjen të ndarë në qëndrime njohësit e çështjeve politike në vend.

Profesori Mazllum Baraliu, tha se Qeveria e re e Kosovës do të formohet varësisht nga gatishmëria eventuale e subjekteve politike për konsensus.
Ai u shpreh se klasa politike në Kosovë duhet të reflektojë seriozisht dhe të arrijë të formojë sa më shpejtë Qeverinë pasi që sipas tij, Kosova ka para vetes shumë çështje për të zgjidhur.

Ndërkaq, Baraliu shprehet skeptik lidhur me qëndrueshmërinë që do të ofronte Qeveria e PAN-it.
“Nëse koalicioni PAN nuk arrin që të sigurojë shumicën e deputetëve, e kjo shumicë për hir të realitetit edhe kështu, po të sigurohej, do të ishte një shumicë fragjile e cila nuk mund të prodhojë stabilitet afatgjatë dhe kohezion e efektivitet qeverisës. 5’..”Që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme të cilat përndryshe para një apo dy muajve i provuam, atëherë duhet që kjo klasë politike të reflektojë seriozisht dhe të arrijë një konsensus për të gjetur një solucion kominatorik në kuptimin më pozitiv dhe dinamik të fjalës për të gjetur një Qeveri konsensuale me përfaqësues nga të gjitha spektret, jo vetëm nga klasa politike por edhe nga shoqëria civile, akademike dhe nga teknokracia, nga ekspertizat e ndryshme, në mënyrë që të mos humbasim kohë dhe para sepse Kosova ka para vetes shumë detyra dhe probleme shumëdimensionale për të zgjidhur” tha ai.

Sipas Baraliut, një kryeministër konsensual do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën. Siç tha ai, Qeveria është forcë lëvizëse e çdo ekzekutivi, shteti dhe shoqërie, dhe në këtë mënyrë, me një qeverisje të tillë, do të krijoheshin mundësitë që në krye të detyrave të vendoseshin njerëzit më të kualifikuar për ta çuar vendin përpara.

Në anën tjetër, formimi i Qeverisë me konsensus llogaritet të jetë i pamundur nga Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tij, kjo varet edhe nga fakti se si do të shkojë puna në votimin e parë.
“Për momentin si jemi, unë nuk e shoh të mundur ose nuk e shoh një mundësi reale për të pasur një kryeministër ose një kandidat për kryeministër konsensual, pasi që po shihet se partitë politike apo subjektet politike, koalicionet në përgjithësi, nuk është se kanë lëvizur nga pozicionet e tyre fillestare qysh nga certifikimi i zgjedhjeve”, tha ai.

Murati konsideron se me gjithë amullinë që është krijuar lidhur me numrat, PAN-i mund edhe të ndërrojë mendje në momentin e fundit.

Ndryshe, koalicioni PAN ka mandatar Ramush Haradinajn,për të formuar Qeverinë e re. Nga ky koalicion deri tani ka pasur deklarata se i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e Haradinajt për kryeministër. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme sekretari i përgjithshëm i AAK-së Blerim Kuçi ka deklaruar se janë në proces të sigurimit të votave nga subjektet e tjera politike, duke hedhur poshtë kështu deklaratat e bashkëpartiakëve të tij dhe partnerëve të koalicionit.

Ndërsa, ende nuk dihet data se kur do të konstituohet Kuvendi i ri, proces ky i cili duhet të marrë dritën e gjelbër nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi.