Tahiri: Nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve

Tahiri: Nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer, kanë nënshkruar sot protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Tahiri ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

Traktati pasqyron realitetin e ri në Ballkan, ka thënë ministri Tahiri, dhe sipas tij, kjo marrëveshje fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional. Sipas ministrit Tahiri, traktati është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe pasqyron parimet për luftimin efikas të krimeve që janë karakteristike për shekullin 21.

Tahiri ka thënë se nënshkrimi i sotëm i jep një kahje krejt të re bashkëpunimit mes dy vendeve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë.

Në një takim paraprak me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer, ministri Tahiri e njoftoi atë për reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, përfshirë politikat e reja penale, politikat e të drejtave pronësore si dhe masat e ndërmarra në kuadër të Agjendës “Drejtësia 2020” për përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës./21Media