​Kosova me trajner të ri pas ndeshjes me Letoninë, në opsion edhe Lotthar Matthaus

​Kosova me trajner të ri pas ndeshjes me Letoninë, në opsion edhe Lotthar Matthaus

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu ka bërë të ditur se Komiteti Ekzekutiv dhe kryetari i FFK-së Fadil Vokrri janë duke i shqyrtuar kërkesat për trajnerin e ri të përfaqësueses.
Kosova akoma nuk ka gjetur pasardhësin e Albert Bunjakut, i cili ditë më parë është larguar nga kreu i bankinës së përfaqësueses sonë. Salihu ka pranuar se ka shumë kërkesa për postin e trajnerit të përfaqësues së Kosovës, por FFK ende nuk ka vendosur për këtë çështje, dhe sipas tij, Kosova nuk do të ketë trajner të ri deri pas ndeshjes me Letoninë, të cilën do ta udhëheqë Muharrem Sahiti.

“Çështja e trajnerit sigurisht se është në vlug. Ka shumë propozime nga të gjitha anët, nga menaxherë të ndryshëm. Kryetari Vokrri është duke i shikuar së bashku me kolegët e tij të komitetit ekzekutiv, duke i evaluar kërkesat. Sigurisht pas ndeshjes me Letoninë do të kemi kohë më shumë, nuk kemi ndonjë emër konkret, kështu që nuk mund të them diçka më shumë në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Salihu.

I pyetur edhe rreth mundësisë që legjenda gjermane Lothar Matthaus të marrë drejtimin e përfaqësueses së Kosovës, Salihu ka thënë se Vokrri ka biseduar me të gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të më të mirëve nga FIFA, por sipas tij nuk ka asgjë konkrete.Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Matthaus të jetë trajner i Kosovës, duke thënë se FFK nuk ia mbyll dyert askujt, por ka kërkuar që të mos ketë pritshmëri të mëdha për shkak të mundësive buxhetore që ka federata.

“Kryetari Vokrri është taku edhe me Maradonën dhe me shumë ish-futbollistë dhe me shumë trajnerë, dhe edhe me Matthaus sigurisht se ka diskutuar për arsye se ai e njeh çështjen në Ballkan por të them të drejtën nuk ka asgjë nga kjo iniciativë, nuk po them që i mbyllim dyert askujt por edhe të mos e harrojmë faktin se Federata e Futbollit është e vogël, na e dimë shijet e fansave tonë që me padurim e presin që të fillojmë një etapë të re, sepse sigurisht se edhe grupi do të jetë i lehtë, por duhet të kuptojmë që të mos jenë pritshmëritë e mëdha sepse nuk kemi mjete aq shumë, krejt buxheti jonë ndoshta nuk mjafton për disa trajnerë që janë me nam”, ka theksuar Salihu.

Kosova do të luajë ndeshje miqësore me Letoninë më 13 nëntor, në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku përzgjedhës në këtë ndeshje do të jetë Muharrem Sahiti.