Zharku u ftua nga Komunitetiti i Filmbërësve të Pavarur të Armenisë

Zharku u ftua nga Komunitetiti i Filmbërësve të Pavarur të Armenisë

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK-së), Arben Zharku ka vizituar Armeninë me ftesë të Komunitetit të Filmbërësve të Pavarur (IFCA), për të ndarë përvojat e Kosovës në zhvillimin e kinematografisë dhe kushteve për filmbërje.

Gjatë qëndrimit në Armeni, Zharku u takua me deputetët që janë pjesë e komisionit për kulturë në Parlamentin e Armenisë më të cilët ndau hapat e rëndësishëm që kanë ndikuar në zhvillimin e kinematografisë Kosovare, mënyrat e bashkëprodhimeve ndërkombëtare, investimi në edukim, promovimi ndërkombëtarë, rëndësia e angazhimit të jurive ndërkombëtare në konkurset për përkrahjen financiare të filmave etj.

Kosova është ftuar si shembull i një shteti të ri që i ka përkitur një sistemi të kaluar të përafërt dhe që ka pasë një zhvillim të madh të filmit.

Me anë të një komunikate për media QKK-ja bëri të ditur se përveç takimit në Parlamentin Armen, Zharku mori pjesë edhe në një puntori ditore me komunitetin e filmbërësve dhe komunitetin më të gjerë kulturor. Në këtë puntori ai i prezantoi përvojat e QKK-së në hartimin e legjislacionit të nevojshëm për zhvillimin e kinematografisë në nivel  ndërkombëtar, rregullat e reja që i aplikon Kosova në organizimin dhe fuqizimin e industrisë etj. /21Media