Fitore e thellë e Kosovës

Fitore e thellë e Kosovës

Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të thellë të shtunën në kampionatin evropian të Divizionit B që po mbahet në Tulln të Austrisë.

Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 31:23. Ndeshja ishte e vlefshme për plasman përfundimtar në evropian, përkatësisht për renditje prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të.

Kosova ishte më e mirë se Britania e Madhe në të gjitha elementet e lojës dhe kështu arriti te fitorja e lartë. Gjërat funksionuan më mirë te Kosova, por edhe rivali nuk e kishte cilësinë e rivalëve që kombëtarja jonë i pati në grup.

Në kuadër të grupit B, Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet, duke përfunduar e gjashta. Por në disa prej ndeshjeve ka pasur elemente pozitive që japin shpresë për këtë gjeneratë që është në konsolidim e sipër.

Fitorja e së shtunës është e mirëseardhur për djelmoshat para sfidave që i presin në vazhdim të vitit.

Kosova e ka edhe një ndeshje në Evropian. Do të luajë ndaj Bullgarisë për plasman në pozitën e nëntë apo të dhjetë./21Media