U mbajt konferenca  rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave

U mbajt konferenca  rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave i mundëson Doganës së Kosovës që të ketë qasje në informata dhe të jetë bashkëpunuese në operacione të ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare për luftim të terrorizimit dhe shumë aktiviteteve të tjera.

Kështu u tha në konferencën e organizuar me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave dhe të një vjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova ngadalë por sigurt po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale.

“Unioni Botëror i Doganave si qendër e njohur globale e ekspertëve doganorë luan një rol prijës në diskutimin, zhvillimin, promovimin, implementimin e sistemit modern të Doganave dhe të proceduarve moderne doganore. Ne kemi një administratë të aftë dhe kredibile doganore, ndër më të përgatiturat në këtë pjesë të Evropës, prandaj, konsideroj se kemi çfarë të iu ofrojmë këtij unioni doganor dhe po ashtu kemi çfarë të marrim nga ky union”, tha ai.

Sipas kryeministrit, Kosova si anëtare e kësaj organizate ka mundësi që të rrisë efiçiencën dhe aktivitetin e administrimit të doganave, të arrijnë objektivat në rritjen e të ardhurave që vijnë nga doganat, të arrijnë objektivat në sigurinë nacionale, lehtësimin tregtarë, mbrojtjen e komunitetit dhe po ashtu në konsolidimin e statistikave tregtare.

Po ashtu, kryeministri Mustafa tha se Kosova do të mbetet e përkushtuar në implementimin e marrëveshjes së MSA-së.

Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se sot bëhet një vit i përpjekjeve të zyrtarëve doganorë për të zbatuar standardet më të larta evropiane.

“Ky përvjetor për ne është vit i reflektimit për të pa se cilat janë efektet e MSA për ekonominë dhe shoqërinë kosovare dhe për t’i planifikuar hapat për më tutje. Ne e shohim MSA si një platformë të jashtëzakonshme për qeverisje më të mirë ekonomike, si një platformë më të mirë për një bashkëpunimin regjional dhe ndërkombëtarë dhe prosperitet të përgjithshëm ekonomik dhe shoqërore në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, MSA është duke u zbatuar pa asnjë pengesë teknike dhe procedurale gjatë një viti. Po ashtu, ai tha se MSA e ka drejtuar Kosovën në rrugën drejt një rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Qasja më e lirë në tregjet e BE-së ka hapur mundësi të reja për bizneset Kosovare. Ne sot flasim për 20 përqind rritje të eksporteve drejt BE-së dhe 8 përiqnd rritje të importeve, për shkak se mallrat që vijnë nga BE tani janë më të lira”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se Dogana e Kosovës ka shënuar dy data historike në histori të saj. Sipas tij, data e parë është kalimin nga Dogana e UNMIK-ut në Doganë të Kosovës, dhe e dyta anëtarësimi në Organizatën Botërore të Doganave.

Po ashtu, ai bëri të ditur se Administrata Doganore për këto vite, që nga themelimi e deri më tani ka mbledhur në buxhetin e Kosovës 10.3 miliardë euro./21Media