Kosova në heshtje zgjedhore

Në Kosovë kjo e shtunë është heshtje zgjedhore. Partitë politike kanë përmbyllur fushatën zgjedhore e cila filloi më 16 shtator dhe përfundoi mbrëmjen e së premtes, konkretisht në ora 00:00.
KQZ-ja kohë më parë ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban:
– 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
– Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.
– Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021, është: 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues./21Media

Back to top button