Alban Muja ka paraqitur projektin “Family Album” që përshkruan vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës

Alban Muja ka paraqitur projektin “Family Album” që përshkruan vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës

Mënyra më e mirë për të kuptuar emocionin e artit modern mund të jetë vizitimi i pavijoneve kombëtare të Bienales së Venedikut. Duke përfaqësuar një shumicë zërash ashtu siç tha presidenti i Bienales, Paolo Beratta në një konferencë për media, këto hapësira janë toka pjellore për artistë që të tregojnë gjendjen e shtetit të tyre për të gjithë botën. Në Bienalen numër 58 këtë vit, artistët me veprat e tyre po dërgojnë mesazhe të fuqishme për qeveritë e shteteve respektive.

Platforma online “Artsy” që është platformë e artit modern dhe kreativitetit, ka zgjedhur 10 pavijonet më dinamike dhe magjepsëse në këtë Bienale e në mesin e tyre është edhe pavijoni i Kosovës.

Për historinë e artit kosovar të shfaqur në Bienalen e Venedikut, shkruan kryeredaktorja e “Artsy”, Casey Lesser.

Gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999, fotografi të fëmijëve refugjatë janë bërë fytyra e konfliktit dhe pamja e tyre ishte printuar në gazetat anembanë botës. 20 vjet më vonë, artisti Alban Muja që ishte vetë fëmijë refugjat gjatë luftës, ka hulumtuar për të gjetur fëmijët në disa nga ato fotografi të famshme dhe ka kapur historinë e tyre. Në pavijonin e Kosovës, ai ka treguar tri video emocionale e të gjalla, që vënë në plan të parë këto subjekte, tani njerëz të rritur. Ato rikujtojnë rrethanat e fotografive të tyre dhe reflektojnë në ndikimin që këto imazhe kishin në media, dhe në kuptimin e luftës.

Një vajzë e re, Besa ishte fotografuar teksa nëna e saj i jipte gji. Bazuar në kujtimet nga prindërit e saj, ajo ka përshkruar se si nëna e saj e kishte mbrojtur, në një rast madje duke e ngrohur atë në furrë pasi ishte frikësuar se foshnja po i vdes nga i ftohti. Agimi 21 vjeçar ka treguar historinë e fotografisë së tij të kapur kur ai ishte 16 muajsh dhe ishte duke kaluar mbi një tel me gjemba.

Videot e treguara nuk janë vetëm raportim për një krizë në të kaluarën, ato gjithashtu ndërlidhen me historitë modernE të refugjatëve anembanë botës.

“Sot, kur shoh lajme për refugjatë përreth botës, më rrënqethet trupi”, ka deklaruar Agimi, “sepse e di që në vitin 1999, familja ime gjithashtu ka përjetuar atë që refugjatët përreth botës përjetojnë sot”.

Përveç Kosovës, në top 10-shen e pavijoneve më të veçanta të përzgjedhura nga “Artsy” janë edhe ato të shteteve si: Australia, Polonia, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Gana, Franca, India, Zvicra dhe Filipinet./21Media