Kosova në sytë e investitorëve britanikë

U mbajt konferenca “Vështrim mbi Kosovën”

Në konferencën “Vështrim mbi Kosovën” të mbajtur në Londër, investitorët britanikë kanë pas mundësi të njihen me potencialet për investime që ofrohen në Kosovë.

Konferenca u organizua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Emerging Europe në partneritet me Raiffeisen Bank Kosova dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha gjatë konferencës se Kosova ofron potenciale të shumta për investitorët e huaj në përgjithësi dhe ata britanikë në veçanti.

Këto potenciale që variojnë nga shërbimet në fushën e teknologjisë informative e deri te prodhimtaria e lehtë, të kombinuara me fuqinë e re punëtore si dhe reformat e vazhdueshme në mjedisin e të bërit biznes e bëjnë vendin atraktiv për investitorët e huaj.

Drejtori i Odës Amerikane foli për Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane, si një model unik i zonave të lira ekonomike, i cili synon të tërheqë investitorët amerikanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe investitorët e tjerë amerikanë që tashmë janë të pranishëm edhe në Britani të Madhe.

Ai më tej tha se kompanitë prodhuese amerikane dhe evropiane duhet të shohin mundësitë që dalin nga qasja e lirë e Kosovës në tregun e Bashkimit Evropian përmes MSA-së, respektivisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes sistemit të përgjithësuar të preferencave që mundëson eksportimin e mbi 3500 produkteve nga Kosova pa doganë.

Në konferencë folën edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, si dhe Udhëheqësi për Kosovë i BERZH, Neil Taylor, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank Kosova, Robert Wright.

Ndërsa mes tjerash u fol edhe për rritjen e vazhdueshme prej rreth 4% që Kosova ka pasur dhe pritet të ketë, burimet minerale, investimet në infrastrukturë, zhvillimet pozitive në sektorin e teknologjisë dhe në ekosistemin e ndërmarrësisë.

Back to top button