Kosova përfaqësohet nga Pacolli

Kosova përfaqësohet nga Pacolli

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po përfaqëson Kosovën në takimin e rëndësishëm që shënon njëkohësisht fillimin e presidencës finlandeze të BE-së.

Dje nisi në Helsinki të Finlandës takimi informal i 28 ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, drejtuesve të Komisionit me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor.

Sipas MPJ-së, aktiviteti nisi me një pritje të nikoqirit dhe Komisionarëve për punë të jashtme dhe zgjerim ku morën pjesë shefat e diplomacisë së këtyre vendeve, pritje që ishte rast i mirë për një shkëmbim informal pikëpamjesh mes tyre.

Kosovën e përfaqëson ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, i ftuar nga drejtuesit më të lartë të Komisionit, në cilësinë e tij si shef i diplomacisë së Kosovës. Kosova merr pjesë si e barabartë me të gjithë shtetet e tjerë të rajonit. Ministri Pacolli do të mbajë një fjalim ku do të adresojë vizionin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal, obstruksionet e Serbisë në dialog dhe në shkëmbimet ekonomike në rajon dhe thirrjen e Kosovës për t’i dhënë fund izolimit të saj ndërkombëtar nëpërmjet liberalizimit të vizave, etj. Sot gjatë ditës takimi vijon me një forum të përbashkët me dyer të mbyllura të shefave të diplomacisë së Ballkanit Perëndimor me 28 homologët e vet të Unionit, me takime dypalëshe, komunikim me mediat e shumta të krejt kontinentit, etj”, thuhet në komunikatë.

Aktiviteti në fjalë koincidon me stafetën e drejtuesve të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian tek udhëheqësja e re dhe fillimin e presidencës finlandeze.