Kosova në vitin 2018, pjesë e Agjendës Digjitale të BE-së për Ballkanin Perëndimor

Ministri ka folur për të arriturat dhe synimet për vitin e ardhshëm

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka mbajtur konferencën e fundvitit me media, me ç’rast ka prezantuar të arrituar e Ministrisë gjatë vitit 2018, si dhe ka folur edhe për synimet dhe projektet për vitin 2019.

Duke folur për aktivitetet e MIN gjatë vitit që po lëmë pas, ministri Beqaj ka thënë se edhe pse ministri e re, Ministria e Inovacionit ka arritur që Kosovën ta bëjë pjesë e Agjendës Digjitale të Komisionit Evrpian për Ballkanin Perëndimor.

“Në vitin 2018 MIN ka ndarë afër 5 milion euro nga të cilat janë financuar mbi 53 OJQ, 160 start–upe, si dhe në bashkëpunim me CETEP me Ministrinë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë, përmes GIZ, kemi përkrahur shumë ndërmarrje për eksport”, ka deklaruar Beqaj.

Ndër të arriturat, siç ceket në komunikatën e ministrisë, Beqaj ka përmendur edhe transformimin e Kampit ushtarak të KFOR-it gjerman në Prizren në Park për Inovacion dhe Trajnime, themelimin e dy qendrave të Inovacionit në Prishtinë dhe në Ferizaj.

Si suksese të punës së MIN gjatë vitit 2018, ministri Beqaj ka përmendur edhe futjen e Kosovës si pjesë të Agjendës Digjitale të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, hapjen e të dhënave (open-data) nga Institucionet e Republikës së Kosovës, organizimin e Konferencës Ndërkombëtare për Inovacion dhe Ndërmarrësi “DIGITALKS”, mbështetjen financiare për promovimin e bizneseve kosovare në panaire ndërkombëtare, bashkë-organizimin dhe financimin e Konferencave vendore.

Ministri Beqaj, para gazetarëve ka prezantuar edhe projektet e reja,  të cilat pritet të realizohen në vitin 2019, ndër të cilët edhe bashkëfinancimin me Qeverinë e Austrisë përmes ADA; bashkëfinancimin me Qeverinë e Luksemburgut, përmes LuxDevelopment, projektin Youth, Employment & Skills (YES) me GIZ, që përkrah punësimin dhe zhvillimin e shkathtësive të tërinjëve; projektin e përbashkët me Bankën Botërore “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”; finanvcimin dhe bashkëfinancimin e prjekteve për Smart Cities; futjen e kodimit dhe ndërmarrësisë si lëndë mësimore në shkolla fillore dhe reformimi i programeve universitare në harmoni me nevojat e tregut të punës dhe ndryshimet globale ekonomike; domain-in e Republikës së Kosovës; themelimin edhe të dy qendrave të tjera për inovacion dhe ndërmarrësi njëra në Pejë dhe tjetra në Mitrovicë.

Ministri Beqaj ka thënë se buxheti i Ministrisë për vitin 2019 do të jetë 12 milionë euro, vlerë,  e cila do të rritet deri në 20 milionë me projekte të bashkëfinancimit me organizata ndërkombëtare./21Media

Back to top button