Kosova nikoqire e Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022

Më pak se një muaj na ndajnë nga fillimi i ngjarjes më të madhe sportive të organizuar në Kosovë, “FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022”. Kjo ngjarje botërore është sjellë në Kosovë nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës.

Siç shprehet Musa Selimi, drejtor ekzekutiv i “Prishtina 2022”, vendi i të rinjve të talentuar të njohur si “Evropianët e rinj”, po bën të gjitha përgatitjet që mysafirët të ndihen si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Kosova ka traditë të gjatë dhe të bujshme të sportit të hendbollit, prandaj nuk është aspak rastësi që Prishtina u zgjodh organizatore e kësaj gare të rëndësishme të sportit universitar”, thekson Selimi.

Ky event, i cili do të mbahet nga 11 deri më 17 korrik, pritet të shërbejë edhe si ambasador i sportit kosovar në arenën ndërkombëtare. Pallati i Rinisë dhe salla “1 Tetori” do të shndërrohen në pikëtakimet kryesore të sportit universitar, ku do të zhvillohen garat e kësaj kupe.

Në këtë ngjarje do të garojnë rreth 500 sportistë nga 28 universitete të botës.

Gjatë këtyre shtatë ditëve, sportistët studentë do t’i tregojnë aftësitë, pasionin dhe vendosmërinë për ta çuar trofeun e çmuar në universitetin e tyre. Në anën tjetër, Kosova dhe kryeqyteti i saj Prishtina, do ta kenë një mundësi të artë që t’i dhurojnë mysafirëve të Kupës dhe mbarë botës sportive një ‘kartolinë’ me kujtimet më të bukura të mikpritjes dhe organizimit të nivelit të lartë./21Media

Back to top button