Kosova dhe Bullgaria përballen të hënën (10 qershor)

Kosova dhe Bullgaria përballen të hënën (10 qershor)

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nisi sot përgatitjet për ndeshjen ndaj Bullgarisë. Përfaqësuesja e Kosovës mbajti seancën e parë stërvitore në Sofje, për ndeshjen kundër Bullgarisë, e cila zhvillohet më 10 qershor (e hënë).

Në një njoftim të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), bëhet e ditur se në stërvitjen e sotme është punuar në dy grupe, ku pjesa e futbollistëve që kanë luajtur në ndeshjen kundër Malit të Zi, bënë vetëm vrapime të lehta dhe ushtrime fizike, derisa pjesa tjetër e futbollistëve bënë stërvitje normale.

Mbrëmë u zhvillua ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ka përfunduar me barazim 1:1.

Pjesën e parë, Përfaqësuesja e Kosovës e ka përfunduar me epërsi, me golin e shënuar në minutën e 25-të nga Milot Rashica. Kosova ka pasur dominim të plotë të lojës, duke u treguar e rrezikshme disa herë para portës së Malit të Zi.

Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, Arbër Zeneli u detyrua ta lëshojë fushën, shkaku i lëndimit të gjurit, të cilin e ka zëvendësuar Edon Zhegrova./21Media