Kryesit e masakrës së familjes Gërxhaliu ende në liri

Kryesit e masakrës së familjes Gërxhaliu ende në liri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën mbi familjen Gërxhaliu në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Ai ka thënë se edhe pas 20 vjetësh fajtorët nuk kanë dalë para drejtësisë.

“As pas 20 vjetësh nga masakra e kryer nga forcat serbe mbi familjen e Selatin Gërxhaliut, pjesëtar i Brigadës 142 “Mehë Uka”, nga Studimja e Vushtrrisë, askush nuk është dënuar për këtë krim mizor.
Një familje e tërë, fëmijë e të moshuar, ishin ekzekutuar pamëshirshëm, vetëm pse ishin shqiptarë, në tokën dhe në të drejtën e tyre.
Kosova nuk do të ndalet kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat!
Lavdi të gjithë martirëve!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Masakra e familjes Gërxhaliu është një prej masakrave më të rënda në Komunën e Vushtrrisë, që u krye nga forcat paramilitare serbe pak ditë pas masakrës së 2 Majit të vitit 1999. Në masakrën ndaj familjes së Selatin Gërxhaliut u vranë 13 anëtarë të kësaj familje, përfshirë edhe fëmijë./21Media