"Pasaporta nuk njihet si dokument për udhëtim mes këtyre dy shteteve sipas marrëveshjes se Brukselit”

“Pasaporta nuk njihet si dokument për udhëtim mes këtyre dy shteteve sipas marrëveshjes se Brukselit”

Hyrja dhe dalja nga shteti i Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas realizohet vetëm me letërnjoftim, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në largim pas paraqitjes se shqetësimeve të disa qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, se policia kufitare nuk po lejon qarkullimin me pasaportat serbe.

Sipas tyre kjo është e bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konfirmon që gjatë qarkullimit mund të përdoret vetëm letërnjoftimi, por që nuk mohon faktin se ka pasur tentime që të kalohet edhe më pasaporte serbe, që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Në këto raste, Drejtoria e Kufirit ka intervenuar sepse sipas të dhënave udhëtimi ka ndodhur me pasaportë. Pasaporta nuk njihet si dokument për udhëtim mes këtyre dy shteteve sipas marrëveshjes se Brukselit”, ka thënë Mustafa.

Në marrëveshjen për lëvizje të lirë thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim. Kosova nuk e njeh pasaportën serbe, vetëm letërnjoftimin”./REL