Fetahu deklaroi se viti 2019, mund të cilësohet si pozitiv për federatën, por jo edhe me rezultatet e arritura

Fetahu deklaroi se viti 2019, mund të cilësohet si pozitiv për federatën, por jo edhe me rezultatet e arritura

Viti 2019 ishte i ngjeshur me aktivitete të shumta për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme. Një nga ngjarjet kryesore ishte zhvillimi i Kampionatit Evropian, Divizioni B për femra U20 në Prishtinë.

Organizimi ishte në nivel të jashtëzakonshëm dhe për këtë FBK-ja u përgëzua nga FIBA, derisa shtëpia e basketbollit botëror i besoi edhe organizimin e Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkuj U16, që do të mbahet gjatë vitit të ardhshëm në Prishtinë.

Po ashtu, një ngjarje e rëndësishme ishte vizita e presidentit të FIBA Evropës, Turgay Demirel në muajin gusht, që ishte vizita e tij e parë si president i kësaj organizate në Kosovë. Ai përgëzoi drejtuesit e FBK-së për punën që kanë bërë, sidomos me gjeneratat e reja, derisa ofroi ndihmën e tij për basketbollin e Kosovës.

Gjatë verës, gjashtë përfaqësueset e reja të Kosovës, U20, U18 dhe U16 në të dyja konkurrencat u paraqitën në kampionate evropiane, Divizioni B. Po ashtu, për herë të parë u formua Liga U14 te femrat me përkrahjen nga FIBA.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se viti 2019, mund të cilësohet si pozitiv për federatën, por jo edhe me rezultatet e arritura.

“Për Federatën e Basketbollit mendoj që ka qenë një vit i mirë, sa i përket zhvillimit të basketbollit në përgjithësi. Ka qenë një vit me shumë sfida, shumë telashe për FBK-në, për anëtarët e saj, por edhe për reprezentacionet, të cilat ajo i ka organizuar, por ka qenë një vit i cili na ka dhënë përvojë dhe do të na udhëzojë për ata që do të bëjmë në vitin 2020 e më tej. Ka qenë i suksesshëm në kuptimin e zhvillimit të vetë federatës,  punës të cilën e kemi bërë me reprezentacionet e reja dhe me reprezentacionin A, por ka qenë një vit i cili ka lënë shumë për të dëshiruar në kuptim të rezultateve, të reprezentacioneve qoftë A, qoftë të reprezentacioneve të reja. Vërtet unë po e quaj se 2019 ka qenë një vit reflektimi, dhe duhet të shërbejë si vit reflektimi për punën që na pret më 2020”, tha Fetahu.

Sa i përket basketbollit vendor, Fetahu pohoi se pjesa e dytë e vitit ka qenë me plot risi, ku edhe vetë rikthimi i Pejës e ka ngjallur interesimin e tifozëve për të parë nga afër ndeshjet e Superligës.

“Ka qenë një vit i ndryshimeve, në rast se  e marrim vitin si tërësi, atëherë për pjesën e parë të vitit që i përket stinorit të kaluar, ka qenë një vit, një stinor ku është spikatur Sigal Prishtina, dhe Rahoveci si dy ekipet kryesore, por me impulse të rëndësishme edhe ndeshje shumë të mira edhe nga Ylli, Bashkimi dhe Prizreni. Ndërsa për pjesën e dytë të këtij viti dhe stinorin aktual me kthimin e Pejës aty ku e ka vendin dhe me konsolidimin e saj si ekip, mendoj se i është dhënë një impuls i ri Superligës së basketbollit, ku kemi shikueshmëri më të mirë, kemi një garë më të ngushtë dhe nuk kemi pasur asnjë ekip pa humbje”, u shpreh Fetahu.

I pari i FBK-së gjithashtu bëri të ditur se vitin e ardhshëm kjo federatë do të mbajë zgjedhjet e reja dhe se ai pritet të kandidojë sërish për postin e kryetarit.

“Po, patjetër, që do të ketë zgjedhje në federatë. Zgjedhjet do të mbahen pas Olimpiadës dhe para fundit të vitit 2020, do të mbahen në bazë të statutit tonë. Ju e dini që unë e kam marrë mandatin në prill 2018 dhe vetëm e përfundoj  mandatin të cilin e ka lënë pas ish-kryetari Belegu, i cili ka qenë deri në Olimpiadë ose deri në vitin 2020… Besoj që është herët që të mendohet për të, por planet të cilat i kam nuk janë të ndërlidhura me afate… Unë kam një ide që të jem më gjatë në basketbollin e Kosovës, më gjatë se dy vjet dhe kam ide që këto projekte dhe plane të cilat i kemi iniciuar, t’i jetësoj unë”, tha Fetahu.

Ndërsa, sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku e cilësoi këtë vit shumë të rëndësishëm, duke marrë parasysh aktivitetet e shumta që federata ka organizuar gjatë vitit 2019.

“Ka qenë një vit me plot aktivitete, ku nga garat vendore që janë Superliga e Kosovës, Superliga e Femrave, Liga e Parë e femrave, ligat e kategorive të reja në konkurrencën e femrave dhe në të dyja konkurrencat, pra i kemi pasur diku rreth 320 ndeshje në kategorinë seniore dhe rreth 732 ndeshje i kemi pasur në kategoritë e reja, që do të thotë se po i kalon mbi 1000 ndeshje i kemi organizuar në nivel vendor. Rrjedhat e kampionatit kanë qenë ashtu siç kemi pritur, konkurrenca ka qenë në mes të Rahovecit dhe Prishtinës, po flas për sezonin 2018/2019. Kemi pasur rritje të shikueshmërisë së tifozëve falë edhe rinovimit të palestrës “Mizahir Isma” në Rahovec”, tha Dushku.

Edhe Dushku vitin 2019 e cilësoi jo të mirë, në performancën e përfaqësueseve të Kosovës, duke pohuar se nuk janë arritur pritjet të cilat bordi i kësaj federate i kishte caktuar në fillim të 2019-së.

“Ndërsa në nivel të përfaqësueseve nuk mund të jemi të kënaqur, sepse nuk e kemi arritur cakun që kemi pasur, të kualifikohemi në kualifikimet për Eurobasket 2021 me përfaqësuesen A, pas kësaj nuk jemi të kënaqur me rezultatet e përfaqësuesve të reja, mund të themi lirisht se pas pranimit në vitin 2015, pavarësisht që investimet kanë qenë më të mëdha në të gjithë përfaqësueset, buxhetet kanë qenë më të mëdha, nuk e kemi arritur të sigurojmë pozita sa më të mira. Këtë e tregon më së miri edhe rënia e përfaqësueses U16 në një divizion më poshtë”, pohoi Dushku.

Kujtojmë që gjatë këtij viti klubi i basketbollit Prishtina në konkurrencën e femrave, u bë skuadra e parë kosovare që merr pjesë në garat ndërkombëtare, por pa mund të arrijë ndonjë rezultat të madh. Vashat e Prishtinës u eliminuan në fazën e grupeve, duke mos arritur të shijojnë asnjë fitore gjatë kësaj aventure në Evropë.

Ndër në vitin 2020, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të luajë ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror, ndërsa ngjarje tjetër e rëndësishme pritet të jetë edhe organizimi i evropianit Divizioni C për Meshkuj U16 në Prishtinë. Kjo është hera e tretë radhazi që FIBA Evropa i beson Federatës së Basketbollit të Kosovës organizimin e një kampionati evropian.