Kosova nuk mund të sigurojë bukën e gojës për vete! Bujqit kanë nevojë për përkrahje!

Më rritjen e çmimeve fokusi është kthyer përsëri te buka si një ndër elementet kryesore në shportën e konsumatorit. Por, sa e siguron Kosova vet këtë produkt esencial nga lënda e parë, gruri?!
Nga Ministria e Bujqësisë, portali rtv21.tv ka siguruar të dhënat mbi mbjelljen e grurit. Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2021 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 66,159.52 hektarë. E korrje-shirjet për këtë sipërfaqe kanë filluar. Por, profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci për portalin rtv21.tv thotë se importi është ende i domosdoshëm.
“Si pasojë e valës së nxehtë, e cila në shumë zona prodhuese reduktoi prodhimin e planifikuar si rezultat i pjekjeve të dhunshme të fryteve të grurit. Prodhimi që po realizohet nga ngastrat tona, nuk është i kënaqshëm dhe i njëjti nuk do t’i plotësojë nevojat e konsumatorëve, andaj edhe këtë vit importi do të jetë i domosdoshëm.”, tha Rusinovci.

Ndërsa,  nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për portalin rtv21.tv thonë se është herët të flitet për rendimentin mesatar të saktë për kulturën e grurit.
“Mirëpo, bazuar në të dhënat statistikore ndër vite, rendimenti mesatar për kulturën e grurit në Republikën e Kosovës sillet nga 3500-4500 kg/ha. Prandaj, bazuar në këto të dhëna dhe ato që i kemi marrë nga terreni, për gjendjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë, pritet që rendimenti mesatar të jetë brenda këtyre vlerave.”, bëjnë më dije nga kjo ministri.
Po ashtu sipas ministrisë, nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 400,000 ton grurë.Sa i përket kësaj, profesori Imer Rusinovci thekson se sondazhet e realizuara deri me tani, tregojnë se nga sipërfaqet kultivuese me grurë mund të sigurohen rreth 50 % të nevojave konsumuese në nivel vendi.
Si mund të nxitet kultivimi i grurit?
Profesori i Bujqësisë, Rusinovci po ashtu për portalin rtv21.v vlerëson se Kosova ka kushte të përshtatshme për kultivimin e kulturës së grurit, mirëpo sipas tij, bujqit duhet të përkrahen nga shteti.
“Resurset tona agronomike janë shumë të përshtatshme për kultivimin e grurit, ndërsa rezultatet që realizojmë nga të njëjtat nuk përkojnë me shkallë të duhur të shfrytëzimit të tyre. Detyrë parësore e shërbimeve këshillimore në terren mbetet që të barten sa më shumë transfere të reja teknologjike tek fermerët, ndërsa dikasteri i bujqësisë përmes politikave të mirëfillta duhet të gjejë rrugët e duhura për mbështetjen e prodhimeve strategjike siç është kultura e grurit.”, thotë Rusinovci.
Ai tutje apelon që shteti duhet t’i ndihmojë bujqit edhe me stimulime tjera shtesë përveç subvencioneve.
“Mbështetja shtetërore duhet të mbështetet në kritere të mirëfillta dhe monitorime të duhura, sepse qëllimi duhet të jetë shtimi i prodhimit për njësi sipërfaqësore, meqë akoma po karakterizohemi me produktivitet të ultë të punës në prodhimtarinë primare. Përveç subvencioneve që shteti po jep për kulturën e grurit, duhet të mendohet edhe për regresimin e naftës për bujqësi dhe stimulime tjera shtesë që krahas objektivave të shtimit të produktivitetit të prodhimit të grurit, të krijojmë edhe rezerva shtetërore nga kjo kulturë strategjike në këtë kohë sfiduese për sigurimin e ushqimit, jo vetëm në vendin tonë por edhe në nivel global.”, tha ai.
Ministri Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, muaj më parë ka deklaruar se programi për Zhvillimin Rural për bujqësi për këtë vit është 26.3 milionë euro./21Media

Back to top button