Tetë gola u shënuan në ndeshjen Angli-Kosovë

Tetë gola u shënuan në ndeshjen Angli-Kosovë

Kombëtarja e Kosovës sonte pësoi humbje nga kombëtarja e Anglisë me rezultat 5-3, shkruan rtv21.tv

Kosovarët shumë mirë e filluan ndeshjen, duke kaluar në epërsi ndaj Anglisë, me golin e Valon Berishës në minutën e parë të ndeshjes. Pak minuta pas kalimit të epërsisë nga Kosova, Anglia shënoi golin e barazimit. Raheem Sterling shënoi për Anglinë në minutën e 8-të.

Ndërsa, Harry Kane kaloi Anglinë në epërsi në minutën e 19-të, derisa trefishimi i epërsisë ndaj Kosovës u bë me autogolin e Mërgim Vojvdës, në minutën e 38-të.

Ndërkohë, në minutat e fundit të pjesës së parë, Anglia shënoi edhe dy gola të shpejtë ndaj Kosovës. Jadon Sancho shënoi dy golat e fundit në pjesën e parë, njërën në minutën e 44-të dhe tjetrën në minutën e 45-të.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 5:1.

Pjesën e dytë Kombëtarja e Kosovës e nisi mbarë, duke shënuar dy gola në pak minuta.

Golin e dytë për Kosovën e shënoi përsëri autori i golit të parë, Valon Berisha në minutën e 49-të të ndeshjes. Ndërkaq, nga zona e penalltisë, në minutën e 55-të shënoi Vedat Muriqi, për rezultatin 5-3.

Në minutën e 65-të të takimit, Harry Kane dështoi të shënoi penallti ndaj Kosovës, pasiqë topin e mbrojti mjaft mirë portieri i Kosovës, Arijanet Muriçi.

Pjesa e dytë përfundoi me rezultat 5-3.

Gjatë ndeshjes Angli-Kosovë, pesë lojtarë të Kosovës u ndëshkuan me kartonë të verdhë, Besar Halimi, Leart Paqarada, Fidan Aliti, Valon Berisha dhe Anel Raskaj.

Përveç ndeshjes së sontme, Kosova në 15 ndeshjet e fundit nuk ka pasur asnjë humbje.

Me fitoren e sontme, Anglia mbetet në kreun e tabelës me 12 pikë, ndërsa Kosova zbriti në pozitën e tretë pas fitores së Republikës së Çekisë ndaj Malit të Zi./21Media