“Kosova përballet me mospërputhje të aftësive profesionale me nevojat e tregut”

Reçica tha se një nga nevojat kryesore sa i përket punësimit është orientimi i të rinjve të karrierë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica sot deklaroi se Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë për çka ministria që ai drejton së bashku me partnerët e saj siç është GIZ, po bënë përpjekje maksimale për zbutje të kësaj gjendje.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me përfaqësues të GIZ-DIMAK (Qendra Gjermane e Informacionit për Migracionin, Aftësim dhe Karrierën), me të cilët bisedoi rreth punësimit të të rinjve, zgjerimin e mundësive për migrim legal për punësim të aftësim profesional të të rinjve në BE-së, në këtë rast në Gjermani.

Reçica tha se një nga nevojat kryesore sa i përket punësimit është orientimi i të rinjve të karrierë për shkak se Kosova po përballet me mospërputhje të aftësive profesionale me nevojat e tregut të punës.

“Një zgjidhje afatshkurtër do të ishte angazhimi i të rinjve tanë për punë sezonale dhe përkohshme në vendet e BE-së. Fuqia punëtore e kualifikuar sipas standardeve të BE-së do të mund të nxiste investimet e huaja në Kosovë, sepse do të gjenin fuqi punëtore të kualifikuar dhe më të lirë se vendet e BE-së” , tha ai.

Ndërsa, Nina Theis, udhëheqëse e GIZ-DIMAK në nivel qendre në Gjermani, tha se orientimi në karrierë i të rinjve është një çështje për të cilën duhet fokusuar në projektet e ardhshme në mes të GIZ dhe MPMS.

Ajo tha se GIZ do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme për të mbështetur MPMS-në dhe Agjencinë e Punësimit sa i përket zbutjes së papunësisë, sidomos për dhënien e mundësisë për migrim legal për punësim të qytetarëve të Kosovës.

Back to top button