Kosova përfiton 17.6 milionë euro grant për Rehabilitimin e linjës 10 Hekurudhore

“Ky projekt do të krijojë 160 vende të punës gjatë ndërtimit dhe veprimtarisë së përmbajtjes”

Ministri i Financave, Bedri Hamza, shefja  e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, si dhe drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit, Sue Barrett kanë nënshkruar sot Marrëveshjen Grant për fazën 2 për projektin për Rehabilitimin e linjës 10 Hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë, në vlerën 17.6 milionë euro.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza bëri të ditur se financimi i ndërtimit të linjës kryesore hekurudhore, e cila na lidh në të dy drejtimet me Bashkimin Evropian, do të realizohet me mbështetje të Bashkimit Evropian, BERZH-it dhe Bankës Investive Evropiane. Studimi i bërë me mbështetje të Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor ka përcaktuar koston e financimit të tërë linjës në vlerë prej 195. 5 milionë euro, i cili do të realizohet në tri faza.

Hamza gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministritë e linjës përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve kanë aplikuar për financimin e Fazës së tretë, e cila përshkon segmentin prej 42 kilometrave deri në kufi me Serbinë në vlerë mbi 24 milionë euro vetëm për punët fizike. Një komponentë e shtuar për projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10 është edhe sinjalizimi më I avancuar për të cilin jemi duke shikuar mundësinë e financimit.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, bëri të ditur se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në financimin e projekteve të ndryshme që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Sipas Apostolovës, me këtë Marrëveshje do të rehabilitohen rreth 100 kilometra hekurudhë dhe ngritja e 5 stacioneve në seksionin në kufi në Maqedoni dhe Fushë Kosovë – Mitrovicë.

“Ky projekt do përmirësoj sigurinë dhe efikasitetin hekurudhor për gjysmën e popullatës të Kosovës dhe do krijoj 160 vende të punës gjatë ndërtimit dhe veprimtarisë së përmbajtjes, do ndihmoj në mirëmbajtjen e rrjetit të hekurudhës për të siguruar transport të sigurt dhe pas përfundimit bartja e udhëtarëve do të rritet më tepër, do të reduktohen kostot e udhëtimit dhe do zvogëlohet lirimi i karbonit dhe gjithashtu do të sigurohemi për ajrin e pastër” shtoi Apostolova.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Nënshkrimi i marrëveshjes për pjesën e parë ka qenë e arritur e rëndësishme për rehabilitimin e rrjetit të hekurudhave që lidh pjesën e lindjes me pjesën tjetër evropiane”.

Ndërsa, drejtoresha e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për sektorin e Transportit, Sue Barrett theksoi se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje Granti mbështet modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Marrëveshja e nënshkruar sot ofron një Grant prej 17.6 milionë Euro për të plotësuar kreditë e BERZH-it dhe Bankës Evropiane të Investimeve prej rreth 80 milionë Euro për rehabilitimin e rrugës hekurudhore 10 që lidh Kosovën me Maqedoninë në Jug dhe me Serbinë në Veri. Granti do të bashkë-financojë rehabilitimin e seksionit hekurudhor ndërmjet Fushë-Kosovës dhe Mitrovicës. Grante tjera në total prej 7 milionë Euro janë dhënë nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Fondi Special i Aksionarëve të BERZH-it për të mbështetur përgatitjen dhe zbatimin e projektit sikurse edhe masat e reformës sektoriale”.

Back to top button