Astronomy Outreach of Kosovo në "Spacefest"

Astronomy Outreach of Kosovo në “Spacefest”

Fusha e astronomisë në vendin tonë, ndonëse një fushë shumë pak e zhvilluar, me pak njerëz të angazhuar për të ka filluar të shënojë disa përparime falë të rinjve të klubit të astronomëve të Kosovës, Astronomy Outreach of Kosovo.

Për të folur për projektet e këtij klubi, me theks të veçantë për përfaqësimin që së fundmi ka pasur Kosova në Konventën Shkencore “Spacefest” në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emisionin Bon Bon të RTV21 ishte i ftuar anëtari i klubit, Visar Azemi.

Ai ka treguar se ishte entuziazmi dhe dashuria shumë e madhe për shkencën ajo që ka shty disa të rinj të formojnë klubin e astronomëve.

“ Iniciatore për këtë ka qenë kryetarja, Pranvera Hyseni për themelimin e këtij klubi, ku çdo herë për dy vjet rresht kemi arritur të bëjmë shpërndarjen e astronomisë në masë të madhe në Kosovë, sidomos në shkolla fillore dhe të mesme”, tha Azemi, shkruan rtv21.tv

Kryetarja e klubit ka përfaqësuar Kosovën në Konventën shkencore “Spacefest” dhe prezantimi i punës së saj para mijëra astronomëve nga e mbarë bota, u transmetua nëpërmjet një video në emision.

Në videon më poshtë mund të shihni prezantimin emocionues së kryetares./21Media