Kosova po pret momentin e përshtatshëm për të aplikuar për anëtarësim në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, mendon se Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo bëri të ditur se deri në fund të 2022, do të zgjedhin momentin e përshtatshëm për të dorëzuar formalisht këtë aplikim, shkruan rtv21.tv
“Sa i përket aplikimit për Bashkimin Evropian, është e qartë se të gjitha shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Bonjë e Hercegovinën, e cila ndodhet në një gjendje shumë ndryshe nga Republika e Kosovës, të gjithë kanë aplikuar ose e kanë marrë statusin e kandidatit për në BE. Ne mendojmë se Kosova ndërkohë i plotëson të gjitha parakushtet për një aplikim të tillë dhe prandaj deri në fund të vitit do të zgjedhim të momentin e përshtatshëm kur do ta dorëzojmë edhe formalisht këtë aplikim”, tha Gërvalla në konferencë për media.
“Çështja është kjo, kur është momenti për aplikime të tilla, dhe kur nuk është momenti. Ne mendojmë që procesi nuk mund të ecë përpara ashtu si edhe te rasti i Këshillit të Evropës, nëse ne nuk e bëjmë hapin e parë. Pra pa aplikuar ne, askush nuk do të na ftojë që aplikojmë”, shtoi ajo.
Gërvalla tha se me plotësimin e pjesës më të madhe të MSA-së, plotësohet parakushti themelor për aplikim dhe natyrisht si çdo aplikim do të jetë i shoqëruar me shumë punë, shumë përpjekje, biseda e negociata, të cilat sipas saj, i shtyjnë përpara kërkesat e Kosovës.
“Vetëm dorëzimi i aplikimit nuk do të jetë i mjaftueshëm. Mjaftueshëm do të jetë vetëm atëherë kur të gjithë së bashku si Qeveri, institucione përfaqësues të mediave e shoqëri civile, do të punojmë të gjithë së bashku që një aplikim i tillë të jetë i suksesshëm”, përfundoi Gërvalla./21Media

Back to top button