Kryeministria: Duhet të angazhohen përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur, Kuvendi zgjedhë heshtjen

Kryeministria: Duhet të angazhohen përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur, Kuvendi zgjedhë heshtjen

Republika e Kosovës sërish në Arbitrazh, kësaj radhe nga kompania kroate “Iming” D.O.O., e cila ka iniciuar padi ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), në këtë gjykatë ndërkombëtare për mos kompensimin e investimeve që i ka bërë kjo kompani në Minierën Industria e Magnezit (MIM) Golesh. Në Zyrën e Kryeministrit thonë se duhet të angazhohen përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur, ndërsa Kuvendi zgjedhë heshtjen.

Avokati Granit Vokshi, përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming” pret që ky tribunal do ta vlerësojë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse kërkesa është e arsyeshme, e drejtë dhe e mbështetur në ligj.

Avokati Vokshi konsideron se kërkesa e klientit është e arsyeshme dhe e drejtë dhe si e tillë të gjitha provat shkojnë në favor të kompanisë “Iming”, meqenëse, sipas tij, tri instanca gjyqësore, dy të Dhomës së Posaçme si dhe Gjykata Kushtetuese ia kanë njohur të drejtën e kompensimit të dëmit në raport me investimet, të cilat i ka realizuar në këtë kompani.

“Ne kemi iniciuar procedurën e arbitrazhit nëpërmjet dërgimit të njoftimit për Arbitrazh, njoftim ky i bërë më datën 2 prill të këtij viti pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tanimë në bazë të rregullave të Arbitrazhit, të cilat janë të aplikueshme për këtë kontratë, AKP është e obliguar që brenda 30 ditëve të emërojë arbitrin e vet, i cili pastaj së bashku me arbitrin e emëruar nga ana jonë, do ta caktojnë edhe arbitrin e tretë. Në këtë mënyrë do të konstituohet tribunali i Arbitrazhit, i cili do të gjykojë këtë kërkesë të kompanisë ‘Iming’ për kompensimin e investimeve të realizuara gjatë kohës sa I njëjti ishte pronar i kompanisë MIM Goleshi”, thotë Vokshi.

Avokati Vokshi për kp thotë se procedurat e tilla të Arbitrazhit po paraqesin një rrezik serioz për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, kërkesa fillestare, është në shumë 18 milionë euro për investimet të cilat janë të njohura nga vet Administrata Tatimore e Kosovës, ndonëse siç tha ai, kësaj shume do t’i shtohet edhe interesi vjetor.

“Kërkesës tonë prej 18 milionë euro duhet t’i shtohet edhe interesi prej 8 përqind dhe pastaj janë kostot e tribunalit të Arbitrazhit, i cili sigurisht se do të jetë me miliona euro. Andaj, konsideroj se kjo është një kosto jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e Republikës së Kosovës. Me qëllim të shmangies së këtyre proceduarve, konsideroj që Qeveria dhe AKP duhet të reflektojë seriozisht për këtë dhe të kontaktoj klientin tim në mënyrë që të diskutohet dhe eventualisht të arrihet ndonjë marrëveshje”, thotë Vokshi.

Kryesuesi i Njësisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Agjencinë Kosovare të Privatizimit(AKP), Veton Hajdini duke pranuar se si Agjenci do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare, thotë se AKP konfirmon se të gjitha veprimet e saj janë mbështetur në proceduat ligjore ashtu sikurse janë konfirmuar edhe nga të gjitha instancat gjyqësore në Republikën e Kosovës.

“Sa i përket arbitrazhit, kjo çështje është e ndërlidhur me gjykimet e deritanishme andaj beson se arbitrazhi do të rikonfirmojë vendimet e ligjshme të AKP-së, të konfirmuara nga të gjitha instancat gjyqësore në Republikën e Kosovës”, thotë Hajdini në një përgjigje elektronike për kp.

AKP nuk është përgjigjur për rrezikun financiar që mund ta ketë nga Arbitrazhi.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri, thotë se institucioni përkatës, në këtë rast AKP-ja, duhet që nëpërmjet përfaqësuesit të saj të argumentojë me dëshmi për ligjshmërinë e vendimit të marrë në atë kohë nga Agjencia.

“Me Kushtetutë jemi të shpallur shtet pluralist, me pushtete të ndara. Edhe institucionet qeveritare, edhe AKP-ja e cila i përgjigjet drejtpërdrejt Kuvendit, nuk përzihet në të drejtën e kujtdo për të paditur ose për të kërkuar të drejtën e vet. Në këtë rast ky investitor ka të drejtë të ankohet , ka të drejtë ta inicojë padi dhe neve nuk na shkon ndërmend ta pengojmë. Por, ajo që duhet ta bëjmë është se kur të fillon procedura, Qeveria dhe AKP duhet ta dërgojë përfaqësuesin e vet që sjell argumente dhe dëshmi për ligjshmërinë e vendimit të marrë nga AKP-ja”, thotë Shatri.

Shatri nuk pret që në betejën me drejtësinë ndërkombëtare të humbë AKP. Këshilltari i kryeministrit është i vetëdijshëm se mbrojtja në Arbitrazh ka edhe një kosto financiare.

“Ne e mbrojmë, e çojmë përfaqësuesin tonë për me mbrojt me argumente, për të cilat jam i sigurt se ekzistojnë, në rast se nuk i ka përmbushur kushtet e kontratës. Nuk ka dilema se mundet që ankesa të kthehet e u kthyer ankesa negative. Normalisht(ka kosto), por duhet të mbrohet. . Ai ka drejtë me u ankua, ne kemi drejtë që të mbrohemi. Për me u mbrojt e kemi një kosto, por çka me bë tash. Nuk e di sa”, thotë Shatri.

Kompania Iming ka angazhuar avokatët Arianit Koci, Granit Vokshi dhe Ahmet Kasumi, që ta përfaqësojnë procedurën Arbitrazhit e cila do të zhvillohet kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me kthimin e investimeve të bëra në kompaninë Mim Goleshi e cila ishte privatizuar në vitin 2006 nga e njëjta kompani.

Arbitri i kompanisë “Iming” është një profesor i të drejtës ndërkombëtare private, dhe i të drejtës komerciale nga Kroacia./kp