“Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara”

“Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara”

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në aspektin në ofrim të shërbimeve më cilësore sociale për grupet e margjinalizuara. Ndërsa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u kërkua që të ndahet buxhet i mjaftueshëm jo vetëm për çështjet themelore, por edhe për rehabilitim të këtyre grupeve. Kështu u tha në eventin përmbyllës të “Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara” i cili u zbatua nga Save the Children ndërsa u financua nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar për zhvillim.

Qëllimi i këtij projekti ishte transformimi efektiv i sistemit të shërbimeve sociale në Kosovë dhe përmirësimi i cilësisë dhe disponueshmërisë së shërbimeve sociale dhe komunitare për fëmijët, njerëzit e cenueshëm që jetojnë në rrezik shoqëror.

Drejtori i “Save the Children”, Ahmet Kryeziu duke e konsideruar si të suksesshëm këtë projekt tha se përmes tij është arritur tek një ofrim më cilësor i shërbimeve sociale për grupet në nevojë. Sipas tij mbetet ende sfidë kjo çështje derisa theksoi se edhe më shumë përkushtim kërkon monitorimi i cilësisëe të këtyre shërbimeve dhe inspektimi i qendrave për shërbime sociale. “Me gjithë sukseset e arritura të këtij projekti shumë mbetet ende për t’u bërë . Reforma që ka ndërmarrë Qeveria, Ministria dhe të cilën ne e kemi mbështetur në kuadër të këtij projekti me ekspert tematik dhe ligjor ka prodhuar dhe do prodhojë ligje dhe rregullore financiare siç është ligji i ri për shërbimet sociale dhe familjare si dhe granti specifik për financimin e shërbimeve sociale. Është esenciale që këto ligje dhe këto rregullore të zbatohen në praktikë dhe të kenë plane të qarta veprimi për zbatimin e tyre, jo vetëm nga Ministria, por edhe nga komunat si dhe qendra për shërbime sociale…Mbetet shumë për t’u bërë edhe në fushën e monitorimit të cilësisë së shërbimeve që kërkohen në inspektimin e punës së Qendrave dhe OJQ-ve të licencuara si dhe revidimin e vazhdushëm të politikave”, tha Kryeziu.

Kurse, zevendës udhëheqësja për bashkëpunim në Zyrën e Bashimit Evropian në Kosovë, Hillen Francke u shpreh se ofrimi i shërbimeve sociale cilësore për grupet e cenueshme të Kosovës është vlerë kyçe për Bashkimin Evropian.

Sipas saj përmes financimit nga Zyra e BE-së kanë përfituar 5 mijë persona duke përfshirë fëmijë e të moshuar, derisa janë trajnuar 160 punonjës social për të ofruar praktikat më të mira për shërbimet sociale dhe familjare.

Francke tha se Bashkimi Evropian deri më tani ka financuar shërbimet sociale në Kosovë me 28 milionë euro. “Përmes këtij projekti BE ka mbështetur edhe formulën e financimit për shërbime sociale që do përmirësojë ato duke ndjekur cilësinë e tyre në nivel komunal dhe këtu shpresojmë që legjislacioni do të vazhdojë me standardet për ofrimin e shërbimeve. Mesazhi është që Kosova të ndaj fonde të mjaftueshme jo vetëm për nevojat themelore por edhe për të investuar edhe në rehabilitim dhe shërbime të riintegrimit për grupet e cenuara. Presim të shohim se e gjithë kjo do të miratohet nga qeveria e ardhshme dhe të zbatohet edhe në terren”, tha Francke.

Drejtori i Departamentit për çështje sociale dhe familjare, Mentor Morina u shpreh se deri tani si Ministri kanë ofruar licensim për 1 mijë ofrues të shërbimeve sociale dhe 40 OJQ që ofrojnë këso lloj shërbimesh.

Morina tha se sfidë mbetet mbështetja buxhetore në nivel komunal me qëllim të ofrimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale. Sipas tij MPMS mbetet e përkushtuar të punojë në finalizimin e grantit të veçantë për shërbimet sociale.“Mungesa e një formule të financimit të shërbimeve sociale që nga procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale në vitin 2009 ka krijuar një zbrasëtirë sa i përket alokimit të fondeve për shërbime sociale nga komunat dhe kjo mbetet sfida kryesore në të ardhmen për të adresuar si në nivel qendror apo si nivel lokal me një financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale. Po ashtu ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të saj për çdo vit ka një program të mbështetjes të organizatave jo qeveritare, por ky program kërkon ende rritje të nivelit të mbështetjes së nevojshme dhe vetëm për vitin 2019 ne kemi alookuar një shumë prej 800 mijë euro për mbështetjen të organizatave jo qeveritare”, tha Morina.

Prezantimin e rezultateve të këtij projekti i ka bërë menaxheri i projektit, Trim Kabashi, i cili tha se përfitues të këtij projekti janë kryesisht fëmijët dhe të rritur me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës dhe trafikimit dhe të moshuarit. Sipas tij me 1.5 milionë euro janë mbështetur institucionet kompetente që ndikojnë direkt në shërbime më cilësore sociale.“Së paku 90 përqind e përfaqësuesve të palëve të interesit që nënkuptojmë institucionet qendrore dhe lokale duke përfshirë edhe qendrat për punë sociale trajnohen dhe kanë kapacitet për ë përdorur njohurit e fituara dhe mekanzimat e zhvilluar dhe metodologjinë të ndryshme e programe të ndryshme e ligje për të përmirësuar ligje të ndryshme punën dhe shërbimet sociale që ata i ofrojnë. Përqindja e komunave që janë ofruar shërbimet sociale është rritur për së paku 30 për qind dhe se numri i përfituesve të shërbyer me shërbime me shërbime sociale bazuar në komunitet është rritur për së paku 30 për qind” , u shpreh Kabashi.

Projekti “Mbështetja për shërbime të mira sociale për grupet më të rrezikuara”, u zbatua nga “Save dhe Children”, në partneritet me Qendrën Evropiane për Politika dhe Kërkime të Mirëqenies Sociale, dhe gjithsej 27 organizata joqeveritare lokale.

Ky projekt ka zgjatur gjithsej 31 muaj dhe pritet të përfundojë në fund të dhjetorit të këtij viti, ndërsa shtrirja e tij ka qenë në të gjitha komunat e Kosovës.