Aplikuan mbi 36 mijë kosovarë për viza pune në Gjermani, i morën 6012

Aplikuan mbi 36 mijë kosovarë për viza pune në Gjermani, i morën 6012

Interesimi i kosovarëve për të emigruar në Gjermani është i lartë. Kosovarët prijnë në rajon për nga interesimi për tu vendosur në Gjermani.

Sipas disa statistikave të publikuara nga Jeton Mehmeti nga Instituti “GAP”, vetëm në vitin 2017, gjithsej 36 mijë e 247 kontrata pune të lëshuara nga kompani gjermane janë dorëzuar për aprovim në Agjencinë e Punësimit në Gjermani.

Statistikat tregojnë se nga 36 mijë e 247 kontrata, 28 mijë e 816 janë miratuar. Por, vetëm 6 mijë e 12 persona kanë arritur të marrin vizën e punës.

“Dy konkluzione: një kontratë pune e dërguar nga Gjermania jo detyrimisht të garanton marrjen e vizës (kujdes që të mos dëmtoheni financiarisht nga ndërmjetësuesit), dhe konkluzioni i dytë është se kosovarët dukshëm prijnë në rajon për nga interesimi për ta lëshuar vendin e tyre”, ka shkruar Mehmeti.

Më poshtë i gjeni statistikat, të cilat tregojnë se kosovarët prej vendeve të tjera nga shtetet e rajonit, janë më të interesuarit për tu vendosur në Gjermani./21Media