Certifikata për 20 nxënësit pjesëmarrës në këtë kurs kuzhine

Certifikata për 20 nxënësit pjesëmarrës në këtë kurs kuzhine

Mjeshtri i kuzhinës italiane, Cristian Broglia ka mbajtur një trajnim me nxënësit e shkollës së mesme të agrobiznesit dhe teknologjisë “Abdyl Frashëri” dhe ata të “7 Shtatorit” në Prishtinë ku i ka njoftuar ata me disa nga specialitetet e njohura të kuzhinës italiane. Me këtë rast u ndanë certifikata për 20 nxënësit pjesëmarrës në këtë kurs kuzhine.

Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të Javës së kuzhinës italiane, e cila po mbahet për herë të parë edhe në Kosovë me një program të konceptuar nga Italian Trade Agency (ICE) dhe Instituti Italian i Kulturës nën përkujdesjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë.

Mjeshtri i kuzhinës italiane, Cristian Broglia tha se përmes këtij kursi nxënësit nga Kosova kanë pasur mundësi të mësojnë më shumë për traditën e kuzhinës italiane. Ai tha se gjatë këtij trajnimi nxënësit kanë mësuar për specialitetin e pastave si trashëgimi italiane. “Qëllimi ishte të sjellim kuzhinën italiane jo tërë kuzhinën italiane, por kulturën dhe traditën tonë, atë pjesë që ne mund të sjellim sot. Të flasësh për kuzhinën italiane kërkon shumë kohë nga jugu në veri, por ditën e sotëm patëm mundësinë të trajtonim pastën e freskët, makaronat e freskëta. Pasta janë trashëgimia jonë, por kanë diferenca të mëdha. Për mua ishte një kurs tejet i rëndësishëm, sepse ishte java e parë e kuzhinës italiane në Kosovë dhe shpresoj të ketë një vazhdimësi në Kosovë të kuzhinës italiane”, tha ai.

Të kënaqur me këtë trajnim ishin edhe nxënësit pjesëmarrës, të cilët thanë se është e nevojshme që të organizohen më shumë trajnime të tjera që lidhen me profesionin e tyre të ardhshëm.

Nxënësi i shkollës “7 Shtatori”, Labinot Krapi tha se sot kanë mësuar për mënyrën e përgatitjes së pastave italiane. Ai tha se atyre u duhen më shumë këso lloj trajnimesh. “Ai prezantoi se si pastat janë të njohura në Itali dhe picat dhe na tregoi se si bëhen pastat, mënyrat se si bëhet brumi, prerja, llojet se janë dhe në fund i testuam se si bëhet pjekja… Do të ishte më mirë që të bëhen dy apo tre herë në muaj këso aktivitete, sepse edhe ne do të kishim mundësi të mësonim”, tha ai.

Ndërsa, nxënësja e shkollës “Abdyl Frashëri”, Erëza Kaçiu tha se nga ky trajnim kanë arritur të marrin më shumë njohuri rreth ushqimeve italiane. Ajo i sheh tejet të nevojshme kurse të tilla pasi vlerëson se ato u ndihmojnë nxënësve të përgatitën për tregun e punës. “Gjatë këtij trajnimi kemi pasur një shef të kuzhinës italiane ku kemi pasur një eksperiencë të madhe dhe kemi mësuar në përgjithësi për traditat italiane dhe në veçanti kemi mësuar për përgatitjen e pastave në mënyrë italiane dhe një ëmbëlsirë tiramisu sipas traditës italiane… Për profesionin tonë na nevojiten jo vetëm një kësi trajnimi, por edhe shumë trajnime tjera për shkak se do na përgatisnin për jetën e punës”, u shpreh ajo.

Java e Kuzhinës Italiane është hapur mbrëmë në Prishtinë me ç’rast u realizua përgatitja e një darke me 6 duar nga kryekuzhinieri Cristian Broglia, Bekim Jashari dhe Bleri Dervishi, ku një network restorantesh e baresh do të dedikojnë përgjatë gjithë javës nga data 18 deri më 24 nëntor.