“Kosovës po i mungon më shumë gruri dhe hekuri”

Oda Ekonomike ka diskutuar edhe për taksën

Oda Ekonomike e Kosovës në një konferencë për media ka prezantuar raportin e tremujorit të tretë të për klimën e biznesit, gjatë së cilës  është përmendur edhe taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për prodhimet serbe.

Lidhur me bizneset që lëndën e parë e marrin nga Serbia, Rukiqi ka deklaruar se problemin më të madh po e kanë me grurë dhe hekur. Për këtë problem, Rukiqi ka bërë të ditur se po tentojnë ë gjejnë zgjidhje në Kroaci, Bullgari e Turqi.

“Dy janë domethënë problematikat kryesore, dy produkte po flas, se tjerat zëvendësohen shumë lehtë dhe shumë shpejt. Është gruri, edhe për shkak të çmimit të lartë në tregjet tjera, edhe është hekuri, çeliku. Ka mundësi që të importojmë çelik në Shqipëri, por çmimet, kontratat ose sasitë janë konkururese për tregun tonë”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi ka përmendur një sërë rastesh të kompanive kosovare të cilave Serbia u kishte vendosur barriera në lidhje me tregtimin e mallrave. E për këto barriera, Rukiqi ka thënë se rrallë herë ka reaguar CEFTA.

“Në shumicën prej tyre nuk ka dhënë përgjigje CEFTA e as Komisioni Evropian e as Serbia. Domethënë janë një varg që kam vendosur t’i prezantoj e mos të flasim për rastet e fundit edhe pas masës, por edhe para se të fillonte masa kur produkte nga Kosova, të cilat e kanë një treg solid në Serbi, sado pak që janë, ka raste kur i kanë larguar edhe nga raftet”, ka deklaruar Rukiqi.
Lidhur me raportin e tremujorit të tretë të vitit 2018, Rukiqi ka thënë se disa nga barrierat në të bërit biznes janë ekonomia joformale e konkurrenca joreale.

Ndër të tjerash, ai ka bërë të ditur se ky publikim mëton të ofrojë informacion të besueshëm.

“Sa i përket këtij tre mujori janë intervistuar 447 kompani nga tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe shërbimet. Në përgjithësi 46 përqind e kompanive e vlerësojnë gjendjen si të kënaqshme, është një rënie në raport me tremujorin e dytë, mirëpo prapë se prapë mbetet një pjesë dërrmuese e bizneseve që e vlerësojnë gjendjen e kënaqshme”, ka thënë Rukiqi.

E lidhur me panairin e Agrobiznesit që do të fillojë këtë të hënë, Rukiqi ka njoftuar se do të marrin pjesë 40 kompani, prej tyre 38 nga Kosova, një nga Shqipëria dhe një nga Italia.

Rukiqi ka thënë se kanë dashur ta lënë pikërisht në javën e CEFTA-s që t’u tregojnë atyre se bizneset kosovare kanë potencial për prodhim.

Po ashtu, Rukiqi ka njoftuar se një vlerësim për efektet e taksës 100% do ta japin përmes raportit të tremujorit të katërt, për të cilin tha se do të publikohet kah fundi i janarit të vitit 2019.

Back to top button