KOSTT nënshkruan marrëveshjen e parë me një kompani vendore

Marrëveshje kjo për shfrytëzimin e rrjetës së fibrave optik

Që nga viti 2004, paralel me zhvillimin e Sistemit Transmetues të energjisë elektrike, KOSTT po ashtu ka ndërtuar dhe zhvilluar rrjetin e ri telekomunikues të bazuar në fibra optik OPGW (Optical Power Ground Wire), me gjatësi prej 1109.38 km të vendosur nëpër largpërçues të tensionit të lartë, brenda gypave në bërthamën e të cilëve janë të vendosur nga 24 apo 48 fije optike.

Në përputhje me këtë, KOSTT  nënshkroi marrëveshjen e parë për ofrimin e shfrytëzimit me qera të rrjetës së fibrave optik, me tre operatorë të licencuar të shërbimeve telekomunikuese, përfaqësuar nga Fiberlink.

“Përmes kësaj marrëveshje, e cila është lidhur në përputhje me nenin 5.2 dhe 5.3 të Rregullores për shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës alternative (pasive/fibër optike) dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, KOSTT sh.a ofron shërbimin e linjave me qira (fibra optik të pa-ndriçuar), në kohëzgjatje prej 3 vitesh për tri kompani vendore të licencuara për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese: “Vista”sh.p.k. Suharekë, “Fiberlink” sh.p.k. Gjakovë dhe “Ace Waves” Prizren”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Shërbimi i Fibrave të pa-ndriçuar u mundëson operatorëve të lidhin teknologjitë e tyre përkatëse të transmetimit optik me fibrat e pashfrytëzuara të rrjetit të KOSTT-it, për të ofruar shërbimet e veta të transmetimit në relacionin Gjakovë – Prizren – Suharekë.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Mustafë Hasani ndër të tjera theksoi “kjo është marrëveshja e parë përmes së cilës KOSTT ofron shërbim të linjave me qira të fibrave optik, iniciativë e cila është mbështetur dhe inkurajuar nga Banka Botërore, gjë për të cilën i falënderoj. Besoj që kjo do të jetë një mundësi më shumë për zhvillim ekonomik dhe qasjen e qytetarëve në shërbime telekomunikuese të kualitetit më të lartë ”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i operatorëve nënshkrues, Fatos Stavileci nga Fiberlink-Gjakovë, falënderoi KOSTT-in për ofrimin e këtij shërbimi dhe theksoi që kjo do t’iu mundësojë dyfishimin e kapaciteteve të shërbimeve që ata ofrojnë.

Rrjeti i fibrave optik që posedon KOSTT përmbushë kërkesat funksionale dhe operacionale për komunikime me zë dhe me të dhëna, për të mundësuar realizimin e bisedave telefonike dhe funksionimin e nënsistemeve si: SCADA/EMS, Matjet e Tensionit të Lartë, Mbrojtje nga distanca, rrjeti LAN/ËAN dhe për komunikime inter OST (Operator i Sistemit të Transmisionit). Ky rrjet mjaft i avancuar është i aftë të ofroj shërbime komunikuese dhe të informacionit në qytetet dhe vendbanimet kryesore në gjithë territorin e Kosovës.

Back to top button