KOSTT thotë se reduktimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë

Situata problematike me energjinë elektrike në vend duket se do të vazhdojë edhe për një kohë.
Përmes një komunikate nga KOSTT është bërë e ditur se për balancim të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg: Furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).
“Sa i përket programeve të kufizimit të konsumit ditor ato mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa (konsumi) dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjëse për të mbuluar konsumin e energjisë elektrike në vend. Për oraret e kufizimeve konkrete udhëzoheni që të drejtoheni në KEDS”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të KOSTT, gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur.
Të hënën KEDS kishte njoftuar se kishte pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar ishin planifikuar të jenë deri në 2 orë pa dhe 6 më, për të gjithë konsumatorët. Por, gjatë ditës së martë Ministria e Ekonomisë kishte bërë të ditur se falë bashkëpunimit me Shqipërinë, mes KEK-ut dhe KESH-it, është arritur që të evitohen reduktimet dhe do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji. Mirëpo ata nuk kishin përmendur se për sa gjatë nuk do të ketë reduktime më!/21Media

Back to top button