PZAP ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve

PZAP ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor.

Kjo është bërë e ditur sot nga Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së në një konferencë për media.

Ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet që e obligojnë këtë institucion.

“Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

PZAP 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.

23 ankesa janë hedhur te pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe 1 ankesë konstatohet e tërhequr