KQZ: Deri në ora 13:00 kanë votuar 25.69 për qind e qytetarëve

Hoxhaj: Qarku i Kukësit nuk ka bërë raportime

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj, ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 përqindja e votuesve në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri është 25.69 për qind.

Gjatë kumtimit të përqindjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, Hoxhaj ka bërë të ditur se nga 12 qarqe, vetëm ai i Kukësit nuk ka dërguar të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve deri në ora 13:00, andaj i ka bërë thirrje komisionarëve të këtij qarku që sa më shpejt ta bëjnë një gjë të tillë.

“Nga 5 mijë e 362 qendra të votimit kanë raportuar vetëm 26 për qind e të gjithë qendrave të votimit, thënë ndryshe 1 mijë e 414 qendra votimit kanë përcjellë të dhënat”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas saj, rezulton se në Qarkun e Beratit pjesëmarrja është 27.42 për qind, Dibër 29.5 për qind, Durrës 23.0 për qind, Elbasan 23.12 për qind, Fier 21.79 për qind, Gjirokastër 27.23 për qind, Korçë 28.49, Lezhë 31.92 për qind, Shkodrës 31.07 për qind, Tiranë 29.76 për qind, ndërsa në Qarkun e Vlorës pjesëmarrja ka qenë 22.17 për qind.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë komisionarëve të qendrave të votimit patjetër që të hedhin dhe të komunikojnë me qendrën e të dhënave të komisionit zgjedhor dhe të përcjellin të dhënat në sistem, pasi këtë nuk po e bëjnë në mënyrë të rregullt.

Hoxhaj u ka bërë me dije qytetarëve që të komunikojnë me KQZ-në, për të raportuar për parregullsitë eventuale gjatë procesit zgjedhor./21Media

Back to top button