"Shefi i misionit vëzhgues do të emërohet nga Mogherini"

“Shefi i misionit vëzhgues do të emërohet nga Mogherini”

Komisioni Qendror Zgjedhor ka nënshkruar marrëveshjen administrative për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë sot nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, dhe sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fitim Sadiku.

Kryetarja Daka procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve e ka konsideruar si thelbësor në procesin zgjedhor.

Sipas saj misioni vëzhgues i BE-së ndaj KQZ-së ka dhënë rekomandime serioze.

Daka tha se procesi zgjedhor do të vëzhgohet edhe nga vëzhgues të partive politike dhe shoqëria civile në Kosovë.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i jep rëndësi të veçantë dhe shpreh përkushtimin e vendit tonë për avancimin e procesit zgjedhor në Kosovë. Si çdo herë, misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ndikon edhe në imazhin e vendit tonë. Ky mision, siç e dini, ka qenë prezent edhe në zgjedhjet e vitit 2017, në dy palë zgjedhje dhe i ka adresuar KQZ-së disa rekomandime serioze lidhur me vëzhgimin që është bërë në këto zgjedhje. Natyrisht, që ne përveç vëzhguesve evropianë, do të kemi edhe vëzhgues të partive politike dhe shoqërisë civile” , tha Daka.

Zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri tha se për herë të pesë vjen në Kosovë misioni vëzhgues i BE-së,  i cili synon përmirësimin e procesit zgjedhor në vendin tonë.

Sipas tij rekomandimet e dala nga ky mision nuk kanë gjetur zbatim.

“Ne kemi një varg rekomandimesh dhe një raport të plotë se si të përmirësohet procesi zgjedhor. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme për ne, sepse këto rekomandime janë shumë të rëndësishme, janë shumë të detajuara, ndonjëherë janë teknike, por duhet të përcillen, sepse janë në interes të Kosovës. Është e pa fat që rekomandimet në të kaluarën dhe që janë prezantuar pas procesit zgjedhor jo shumë prej tyre janë implementuar. KQZ ka shumë punë në mënyrë që të përmirësojnë dhe në mënyrë që të implementojnë këto rekomandime, dhe fatkeqësisht prapë zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë ardhur dhe nuk kemi pasur kohë të vazhdojmë dhe t’i përcjellim implementimin e këtyre rekomandimeve”, tha Serri.

Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit do të vëzhgohen nga një ekip bazik që pritet të vijë së shpejti në Kosovë, shefin e të cilës do ta zgjedhë shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Do të kemi një ekip bazik të vëzhgimit që do të vijnë në Kosovë. Ne do të shohim në ditët në vijim sa do të jetë numri total i vëzhguesve të BE-së në Kosovë. Zakonisht, shefi i misionit vëzhgues do të emërohet nga Mogherini që zakonisht shefi është nga Parlamenti Evropian dhe kjo po bëhet që të përkrahet transparenca e zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Serri i ka rekomanduar të gjitha partive politike për  një fushatë zgjedhore  të bëhet sipas standardeve evropiane.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në nivel qendror mbahen më 6 tetor dhe ato u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.