AAK – PSD e Nisma – AKR ende nuk i kanë zyrtarizuar koalicionet

AAK – PSD e Nisma – AKR ende nuk i kanë zyrtarizuar koalicionet

Sot në orën 24:00 zyrtarisht merr fund edhe afati për zyrtarizimin e koalicioneve parazgjedhore të partive politike, për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë në Radiotelevizionin 21, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi deklaroi se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë aplikacion nga ana e partive politike për deklarimin e ndonjë koalicioni, përfshirë këtu edhe koalicionet që veçse janë paralajmëruar AAK-PSD e Nisma Socialdemokrate-AKR.

Sipas Elezit iu mbetet partive që të zgjedhin kohën kur të dërgojnë aplikimet, mirëpo sipas tij është krijuar një trend që kjo të ndodhë në orët apo minutat e fundit të mbylljes së afatit.

Elezi shton se nëse ndonjë kërkesë për koalicion dërgohet në KQZ edhe një minutë pas afatit, nuk do të merret parasysh.  Ai deklaroi se përpos këtij afati është edhe afati tjetër i certifikimit të partive për zgjedhje, i cili do të përmbyllet të premten e ardhshme me datë 6 shtator.

Sa i përket mjeteve financiare për realizimin e zgjedhjeve, Elezi deklaroi se ministri i financave Bedri Hamza ka aprovuar mjetet e kërkuara nga KSHZ, dhe se ka filluar alokimi i atyre mjeteve./21Media