Daka nuk komentoi vendimin e Supremes

Daka nuk komentoi vendimin e Supremes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar për vendimin e djeshëm të Gjykatës Supreme e cila ka urdhëruar KQZ-në për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha që nuk e komenton vendimin e Supremes.

“Në bazë të këtij aktgjykimi ne jemi të obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votuesve jashtë Kosovës, nuk ka nevojë ta komentojmë, kemi obligimin, na pëlqeu s’na pëlqeu e kemi obligim ta zbatojmë ashtu siç është”, u shpreh ajo.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK, shtroi problemin e 1 mijë e 700 pakove të ardhura më 17 tetor.

“Kemi të bëjmë me kontingjentin prej 4600 pakove që kanë ardhë pas afatit ligjor, por vendimi nuk ka të bëjë me 1 mijë e 700 pakot tjera të ardhura me 17 tetor. Me këtë vendim ka ndryshuar ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme sepse ne jemi para akteve, unë e kam dilemën se çka do të bëjmë me 1 mijë e 700 pakot e ardhura me 17 tetor”, tha ai.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, u shpreh i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme.

“Konsideroj që është precedent shumë i keq, edhe ardhja e pakove nga Serbia, po ashtu edhe rritja e tolerancës për 45 mijë për qind. Vendimi që janë pranuar me astronautë votat, precedent i keq është edhe ky aktgjykim. Është një vendim që është në kundërshtim me Ligjin e Zgjedhjeve. Procesi deri në ditën e zgjedhjeve ka shkuar mirë, ne po e bastardojmë me këto vendime”, tha Hamiti.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga bashkatdhetarët për zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat kanë ardhur në Kosovë me disa ditë vonesë, edhe pse data e dërgimit ishte brenda afateve ligjore. Gjykata Supreme ka vendosur që të numërohen votat e mërgatës.