Duhet të pritet 72 orë që Supremja të vendosë lidhur me ankesën

Duhet të pritet 72 orë që Supremja të vendosë lidhur me ankesën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk mund të shpallë rezultatet përfundimtare pas ankesës që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë në Gjykatën Supreme, lidhur me 392 pako me fletëvotime të dërguara përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se nga Gjykata Supreme janë njoftuar se është një ankesë dhe se nuk mund të publikojnë rezultate pa marrë konfirmimin nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim.

“Më lejoni t’ju informoj se kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj, rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë. Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim, në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”, tha ai.

U shpreh se tash duhet të pritet 72 orë që Gjykata Supreme të vendosë lidhur me ankesën.

“Tash dihet që Gjykata Supreme ka afat 72 orë për të vendosur lidhur me ankesën në fjalë, do të thotë më së largu 72 orë duhet të presim vendimmarrjen e këtij institucioni dhe pastaj do të jemi në kontakt për informacione”, tha ai.

Elezi tha se KQZ pas çdo vendvotimi që është rinumëruar, ka publikuar në faqen e saj formularët e rezultateve pas procesit të rinumërimit.

Ndërsa, Mul Desku nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, bëri të ditur se kanë pasur vetëm një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se për të njëjtën kanë marrë vendim.

“Jo, gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ankesa. Ankesa e fundit, e cila ka arritur ose është dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas përfundimit të rinumërimit nga ana e KQZ-së ka arritur dje dhe ajo ankesë është shqyrtuar, është vendosur, me atë ankesë është njoftuar pala në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, të cilin vendim e ka pranuar edhe KQZ, është njoftuar QNR dhe ai vendim tash procedohet  në QNR. Tash nuk ka asnjë ankesë dhe deri në orën 14.00 nuk ka arritur asnjë ankesë. Do të thotë në PZAP konfirmojmë se nuk ka ankesa sa i përket administrimit dhe rinumërimit në QNR…Ka qenë një kërkesë nga ana e LVV-së për dy fletëvotime, do të thotë që kanë të bëjnë me dy vendvotime, po janë dy fletëvotime dhe ankesa është vendosur, vendimi është në faqen e PZAP-it është pjesërisht e pranuar, do të thotë njëra kërkesë për një fletëvotim është pranuar, tjetra është refuzuar” , tha ai.

Sa i përket kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 392 pakove me fletëvotime nga diaspora, Desku tha se është hedhur si e palejuar ankesa dhe të gjitha arsyetimet janë të përfshira në vendimin e PZAP-it. Nuk i komentoi akuzat e LVV-së se ata janë të ndikuar, ku tha se ata janë profesionistë dhe janë zbatues të ligjit. Ndërkaq, i pyetur se çka do të ndodhë nëse Gjykata Supreme vendos që votat e diasporës të numërohen, Desku tha se nuk i komenton vendimet që i merr niveli më i lartë.

“PZAP me gjithë përkushtimin ka punuar në zbatim të ligjit mbi bazë të gjithë atyre provave, fakteve që i kanë paraqitur palët në ankesë dhe jemi shumë krenarë në zbatim të ligjit gjatë gjithë këtij procesi zgjedhor…Paneli ka marrë vendime të ligjshme, se çka vendos niveli më i lartë ne vendimet e nivelit më të lartë nuk mund t’i kundërshtojmë, ato janë të zbatueshme dhe ne duhet t’i pranojmë se jemi nivel më i ulët i vendimmarrjes. Kështu që, ne nuk komentojmë lidhur me ato vendime që i merr niveli më i lartë. Edhe në këtë rast, është në kompetencë të Gjykatës Supreme se është nivel më i lartë dhe çfarëdo vendimi që të merr Gjykata Supreme ai është i zbatueshëm dhe nuk mund ta kundërshtojmë atë”, tha Desku.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka të bëjë me administrimin në QNR. PZAP ka vendosur që të pranojë pjesërisht të bazuar ankesën e Anr.514/2019 e datës 224.11.2019 e paraqitur nga subjekti Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – dhe QNR që 1 fletëvotim në vendvotimin 2704B/02R të vlerësohet i pavlefshëm dhe i njëjti të largohet nga rezultati përfundimtar i publikuar më 07.11.2019.