4 deri 5 ditë zgjat procesi i rinumërimit

4 deri 5 ditë zgjat procesi i rinumërimit

KQZ-ja ka vendosur që të rinumërohen 314 vendvotime dhe nuk dihet ende nëse do të ketë të tjera që do të rinumërohen.

Në pyetjen se a do të ndikojë në rezultat rinumërimi që po e bën KQZ-ja, zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi është përgjidhur shkurt duke thënë se nuk mund ta dinë këtë.

Ai e ka lënë mundësinë që këtë përgjigje ta marrin kushdo që është i interesuar duke parë formularët e rinj që do të plotësohen pas rinumërimit dhe të cilët KQZ-ja do t’i publikojë në web faqe.

“Me qëllim të rritjes së transparencës, KQZ-ja krahas formularëve të plotësuar në vendvotime, do të publikojë edhe formularët që do të plotësohen pas këtij rinumërimi dhe mund të shërbejnë edhe për të bërë krahasime ndërmjet tyre”, tha Elezi për kp.

Elezi ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit që ka filluar të enjten pasdite mund të marrë kohë 4 – 5 ditë si dhe ka lënë të hapur mundësinë që në fillim të javës së ardhshme të fillohet me numërimin e votave përmes postës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës u mbajtën më 6 tetor në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2545 vendvotime. Nga rezultatet preliminare të KQZ-së, VV ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga LDK me 24.82 për qind të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.