Daka tha se nëpër të gjitha vendvotimet do të ketë dezinfektues

Daka tha se nëpër të gjitha vendvotimet do të ketë dezinfektues

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Valdete Daka tha se është shqyrtuar situata dhe KQZ-ja nuk e ka parë të arsyeshme anulimin apo shtyrjen e zgjedhjeve e së dielës në Podujevë.

Daka tha se janë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetësisë Publike dhe se i kanë marrë të gjitha masat.

“Deri më tani në Kosovë nuk ka ndonjë rast. Nuk ka nevojë për panik. Ne do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme. I inkurajojmë qytetarët të mos vijnë në grupe për të votuar. Nuk ka asnjë çështje tjetër që kishte me na shqetësu në ditën e zgjedhjeve. Partitë politike me siguri kanë komunikuar me vëzhguesit dhe komisionerët, kështu që të gjitha masat do të merren paraprakisht”, tha kryetarja Daka.

Po ashtu, Daka tha se nëpër të gjitha vendvotimet do të ketë dezinfektues.

“Kemi marrë një udhëzim se si duhet të sillemi ditën e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë kontakte fizike, apo me mjete tjera, përveç fletëvotimit. Do të kemi dezinfektues në të gjitha vendvotimet. I bëjmë thirrje qytetarëve mos qëndrojnë pa nevojë nëpër shkolla dhe para ndërtesave”, tha Valdete Daka./kallxo.com