KMDLNj përkrah KQZ-në

KMDLNj përkrah KQZ-në

Komisioni Qendror Zgjedhjeve mori vendim që në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019 mund të votohet vetëm me dokumentet e Republikës së Kosovës për të listuar pastaj dokumentet me të cilat mund të votohet.

Pas kësaj pati reagime se ky vendim i KQZ-së është vendim diskriminues, i kundërligjshëm dhe se i shkelë të drejtat e njeriut.

Më të zëshëm janë pjesëtarët e komunitetit malazez në Kosovë të cilët pohojnë se ky vendim është i kundërligjshëm dhe i shkelë të drejtat e njeriut përkatësisht 20 mijë votuesve malazias që jetojnë në veri të Kosovës, duke kërcënuar se nuk do të marrin fare pjesë në zgjedhje.

Megjithatë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i cili ka monitoruar katër palë zgjedhje në Kosovë pas përfundimit të luftës e përkrah fuqishëm këtë vendim të KQZ-së i cili është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi sikur që me asgjë nuk i shkelë të drejtat e njeriut.

“Në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të votojnë edhe ata që kanë dy shtetësi e që KMDLNj mendon se nuk duhet të jetë ashtu dhe këtë të drejtë nuk e kanë të mohuar as votuesit e komunitetit serb, as malazias e as të komuniteteve tjera! Nëse një qytetar i Kosovës e ka dyshtetësinë atëherë nënkuptohet se është i pajisur me dokumente të identifikimit dhe të tjera të dy shteteve dhe se i plotëson të gjitha të drejtat dhe të drejtën për votim”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Nëse një qytetar i Kosovës dhe i cili ka të drejtë për dyshtetësi, edhe 20 vite pas përfundimit të luftës nuk është pajisur me dokumentacion të vlefshëm të Kosovës, sipas KMDLNj-së nuk ka asnjë të drejtë të ankohet se po i mohohet e drejta e votës për faktin se nuk i lejohet të votojë me dokumente të një shteti tjetër. “Në këtë situatë është e qartë se ka munguar vullneti dhe dëshira për pajisje me shtetësi dhe dokumente të Kosovës e që nënkupton se e refuzon Kosovën si shtet”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

KMDLNj ka thënë se ky vendim i KQZ-së është i drejtë dhe askush nuk mund ta kundërshtojë përveç atyre që për përfitime personale, duan që të kontrabandojnë votues të shteteve tjera e që nuk janë qytetarë të Kosovës.

“Shembulli i KQZ-së duhet të jetë udhëtregues edhe për institucionet tjera që ende e lejojnë kontestimin e shtetësisë së Kosovës”, ka pohuar KMDLNj./21Media