"Gazetaria është programi me shkallën më të lartë të punësimit në të gjitha universitetet e Kosovës"

“Gazetaria është programi me shkallën më të lartë të punësimit në të gjitha universitetet e Kosovës”

Shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi ka konfirmuar për KP-n, se ata nuk kanë marrë një vendim për mbylljen e programit të gazetarisë, por ka thënë se vendosja e programit të gazetarisë në listën e programeve të pezulluara, ka qenë një gabim teknik.

“Ne ende nuk e kemi zyrtarisht një dokument të tillë, është lansuar që ka propozim për pezullim të programit të bachelor-it (në gazetari) edhe pse, po them, jo zyrtarisht. Ne kemi akreditim të këtij programi deri në vitin 2020. Agjencia në takim me Komisionin Parlamentar ka deklaruar që në rastin e gazetarisë është një gabim teknik, tash ne jemi në pritje që ata ta korrigjojnë atë gabim teknik”, ka thënë Krasniqi.

E mbylljen e mundshme të këtij programi, Krasniqi e ka cilësuar një dëm të madh për gazetarinë në Kosovë. Sipas tij, gazetaria është programi me shkallën më të lartë të punësimit.

“Do të ishte një dëm i madh, sepse mediat dhe gazetaria në vendin tonë janë duke u zhvilluar në mënyrë të fuqishme dhe nevoja për gazetarë të kualifikuar është gjithnjë e madhe. Sipas statistikave që nxjerrë, në programin master kemi shkallën e punësimit 100 përqind, ndërsa në nivelin bachelor shkallën e punësimit e kemi 72 përqind, që do të thotë se (gazetaria) është programi me shkallën më të lartë të punësimit në të gjitha universitetet e Kosovës. Prandaj, mbyllja e një programi që është kaq i suksesshëm do të ishte pakuptim”, ka thënë Krasniqi.

Në rast të mbylljes së programit të gazetarisë, Krasniqi ka njoftuar se do të bëjnë ankesë dhe do të ndjekin rrugët ligjore.

Përndryshe, rektorët e universiteteve publike së fundmi kanë kërkuar shkarkimin e Këshillit Shtetëror për Cilësi për shkak të pezullimit të disa programeve studimore në universitetet publike të Kosovës.