Krasniqi: Do t’ju përfaqësoj besnikërisht në Kuvend

Frasher Krasniqi është ende në arrest shtëpiak

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor.

Në listën e deputetëve të përzgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje hyri edhe Frashër Krasniqi i cili ende është në arrest shtëpiak.

Pasi u përzgjodh si njëri ndër deputetët e Kuvendit, Frashëri bëri një shkrim në Facebook përmes së cilit falënderoi votuesit e tij duke premtuar se do t’i përfaqësojë besnikërisht, shkruan rtv21.tv

“Te dashur qytetarë, Faleminderit përzemërsisht që më zgjodhët deputet. Faleminderit që i treguat gjykatës së kapur, që populli ka bërë një gjyq tjetër. Nje gjyq që u besoi aktivistëve të pafajshëm kurse i shpalli fajtorë kriminelët që montuan raste gjyqësore. Do t’ju përfaqësoj besnikërisht në Kuvend. Do t’i perfaqësoj besnikërisht Egzonin, Adean dhe Atdheun që bashkë me mua po e përjetojnë në lekurën e tyre padrejtësinë e shtetit të kapur që na e ktheu nga burgu të vdekur, shokun tonë më të mirë”, ka shkruar Krasniqi.

Po ashtu Krasniqi premtoi se do të sjell drejtësi për aktivistin e ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Deharin. “Nuk do të lejmë gurë pa lëvizur deri sa ta sjellim në vend drejtësinë për Astritin!”, ka përfunduar shkrimin e tij Krasniqi.

Ndryshe, dje Gjkata Themelore në Prishtinë  ka vazhduar arrestin shtëpiak  deri më 28 gusht për Frashër Krasniqi  dhe aktivistet tjerë, Adea Batusha, Egzon Haliti, dhe Atdhe Arifi.

Këto janë përqindjet zyrtare të partive politike apo koalicioneve parazgjedhore

PAN-33.74%
VV-27.49%
LAA-25.53%

Ndarja e ulëseve sipas përqindjes

PAN- do të ketë 39 ulëse
VV-32 ulëse
LAA-29 ulëse

/21Media

Back to top button