5 vjet nga rasti “Monstra”

Familjarët qajnë të vdekurit dhe të gjallët në burg

Ky peshkatar është me fat që sot është gjallë dhe vazhdon të peshkojë në Liqenin e Smillkovës. Dobre Stojkovski, thotë se edhe 5 vjet më parë ishte në të njëjtin vend, pikërisht në ditën e kobshme, që u gjetën 5 trupa pa shenja jete.

Ai është fqinj i të vrarëve Aleksandar Nakevski, 18 vjeç, Cvetanço Acevski, 19 vjeç, Filip Slavkovski, 20 vjeç dhe Kire Triçkovski, 21 vjeç, që të gjithë nga fshati Radishan. Dobre thotë se e ka njohur mirë edhe të vrarin e pestë, peshkatarin Borçe Stefanovski, 45 vjeç nga fshati Creshevë të Maqedonisë.

Tani në moshën 76 vjeçe, ai vazhdon të praktikoj peshkimin, por thotë se nuk i hiqet nga mendja mbrëmja e 12 prillit të vitit 2012, kur u largua më herët nga Liqeni i Smillkovës, shkruan TV21.TV

“Këtu isha gjatë ditës, por shkova më herët. Kur erdha të nesërmen në mëngjes, pash disa vetura tek ura dhe disa furgonë të tjerë ku tani është kisha. Shkova matanë të peshkoj, por erdhën të largohem për këtu. Kur i pyeta pse, më thanë se janë gjetur të vrarë pesë persona. Ata i kam të gjithë fqinjë. Nuk e di nëse janë vrarë këtu apo janë vrarë tjetër kund e pastaj janë sjell këtu. Askush këtë nuk e di! Kurse, ky peshkatari që ishte nga Cresheva, ka qenë këtu tek shavarët dhe kur ka dal e kanë vrarë”, u shpreh Dobre Stojkovski, peshkatar.

Dobre, në përkujtim të viktimave, ndezi qiri afër përmendores së ngritur, pikërisht në vendin ku janë gjetur 4 të rinjtë të vrarë. Kurse, i vrari i pestë ishte afër ujit, ku në momentet e fundit të jetës së tij ishte duke peshkuar. Afër Liqenit artificial të Smillkovës në periferi të Shkupit, është ndërtuar edhe një kishë për shpirtin e të vrarëve.

Në përkujtim të pesë vjetorit, familjarët shkuan tek varrezat e fashtit Radishan. Mes lotësh dhe përmallimit, ata bënë ceremonitë fetare tek varret e më të dashurve të tyre.

Tre baballarët e djemve të vrarë edhe pas pesë vjetësh thonë se nuk e kanë kuptuar se pse iu vranë fëmijët e tyre.

“Sikur prind, si çdo ditë që ndjehemi keq, posaçërisht sot edhe më tepër na dhemb sepse partitë politike po bëjnë pazare me gjakun e fëmijëve tanë. Pesë vjet kaluan, rasti nuk është i zgjidhur as 5%. Katica na premtoi që do të jetë ky rast i parë, me të cilin do të merret PPS, por siç doli të brendshmet e Ivonës ishin më të rëndësishme se gjaku i fëmijëve tanë“, tha Goran Nakevski, prind.

Në emër të familjarëve të 5 të vrarëve, Goran Nakevski thekson se autorët e krimit janë kapur, por kërkon nga Prokuroria Publike Speciale që rasti të hetohet sërish për të kapur siç thotë“peshqit e mëdhenj” të përfshirë në këtë rast.

Përjetime të ndryshme janë tek familjarët e të dënuarve për këtë vrasje, që sipas tyre është proces i montuar. Ata thonë se ndjejnë keqardhje, por familjarët e tyre të pafajshëm po dergjen në burgje.

Bedri Ajdari tha se nuk i kanë borxh gjakun e fëmijëve të vrarë, por autorët ti kërkojnë diku tjetër. Ai në burg ka vëllain Fejziun, djalin e vëllait Haki Azirin dhe djalin e motrës Alil Demirin, për të cilët thotë se të pafajshëm po kalben burgjeve.

Vrasja e pesëfishtë ndodhi në natën e së “Premtes së madhe” të festës ordotokse. Më 1 maj, 2012, policia ndërmori aksion të gjërë në Shkup duke arrestuar dhjetëra veta në Shkup, lagjet përreth, si dhe në Haraçinë e fshatin Hotël të Likovës. Ministria e Punëve të Brendshme Gordana Jankollovska kishte deklaruar se vrasja kryer për arsye të nxitjes së urrejtjes ndërfetare në ditën e festës ortodokse.

Për këtë Prokuroria Publike e Maqedonisë i ngarkoi me akuzë: Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta, duke u dënuar më pas me burgim të përjetshëm. Por dy vëllezërit e arratisur u dënuan në Kosovë dhe vuajtën dënimin me burg për armëmbajtje pa leje, duke mos u ekstraduar në Maqedoni. Dënimi i tyre nxiti protesta, pasi që gjatë periudhës së publikimit të “bombave” të përgjimeve u tha se edhe për këtë rast ka të tilla. Pesë vite nga ky rast, familjarët kërkojnë zbardhjen e tij, e këtë e adresojnë tek Prokuroria Publike Speciale./21Media

Back to top button