Krasniqi për Mustafën:  Po get, do të bëhet edhe më i madh se sa kryeministër

Krasniqi për Mustafën:  Po get, do të bëhet edhe më i madh se sa kryeministër

Duke komentuar intervistën e mbrëmshme të liderit të LDK-së, Isa Mustafës në “Argument plus” në RTV 21, analisti Milazim Krasniqi tha se Mustafa do të veprojë me Kurtin njëjtë si ka vepruar me ish- presidentin Hashim Thaçi gjatë qeverisjes në vitin 2014.

“Ndoshta unë nuk marr vesh fort në politikë, por nga sa e deshifrova intervistën e mbrëmshme të Isa Mustafës te Leonora (RTV 21), Isa e kish ndërmend me ia ba Albinit gati njësoj si Hashimit në vitin 2014. Në stilin se ne shkojmë në opozitë nëse nuk na i plotësoni dëshirat, e kish ndërmend me e marrë pjesën më të madhe të tortës së pushtetit,.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje ai ka bërë një krahasim të formimit të koalicionit qeverisës në vitin 2014 kur mandatar ishe PDK-ja me këtë të vitit 2019 kur mandatar është Vetëvendosje.

“Hashimi atëherë nuk kishte alternativë tjetër, as Albini nuk ka tjetër alternativë. (Mbaj mend një slogan të LDK-së, të cilin e kam pasë lancuar unë në vitin 1998, “LDK, po kush tjetër”) Isa e përsëriti disa herë qëndrimin: “Unë jam shefi!” Aq të disponuar sa mbrëmë, Isën nuk e kam parë as kur ka qenë kryeministër. Po get, do të bëhet edhe më i madh.”, ka përfunduar Krasniqi.

Mbrëmë i pari i LDK-së, Isa Mustafa  “Argument Plus”, ka diskutuar për tema të ndryshme, ku ndër tjerash ka deklaruar se  nëse nuk arrihet marrëveshja e koalicioni me VV-në, LDK shkon në opozitë. Ai ka thënë se në asnjë variant LDK  nuk hynë në koalicion me PDK-në dhe se nuk shfrytëzon asnjë të drejtë për negociata me ndonjë subjekt tjetër politik./21Media