Krasniqi ka thënë se deri në fund të të muajit korrik do të formohet qeveria

Krasniqi ka thënë se deri në fund të të muajit korrik do të formohet qeveria

Koalicioni PDK-AAK-Nisma është i bindur se tashmë ka siguruar mbështetjen e me shumë se 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re të Kosovës, të cilën do ta udhëheqë kandidati për kryeministër nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj.

Në mungesë të diskutimit me subjektet tjera, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se në mënyrë krejt legjitime kanë diskutuar dhe arritur marrëveshje me deputetë individualisht.

Krasniqi në një intervistë për Kp, thotë se nuk do të ketë aspak humbje kohe dhe se qeveria dhe konstituimi i Kuvendit do të bëhet brenda afateve ligjore dhe në kohë sa më të shpejtë. Ai tha se tashmë janë bërë negociatat me deputetët e partive të minoriteteve, derisa shpejt pritet të arrihen edhe marrëveshjet formale.

Krasniqi është i bindur se i kanë siguruar edhe disa deputetë tjerë me të cilët do ta formojnë Qeverinë e re, por nuk ka zbuluar se kush janë deputetët që do ta votojnë Qeverinë Haradinaj.

“Unë nuk besoj, unë e di që i kemi më shumë se 61 deputetë. Nuk është e imja t’ju tregoj sot emrat e deputetëve, sepse besoj se të gjithë deputetët, edhe tanët, edhe minoritarët do ta bëjnë publike qëndrimet e tyre, do t’i japin votat në mënyrë publike. Është çështje e ditës dhe është shumë e nevojshme që të mos humbet kohë me procedura, sepse boll është humbur kohë në mungesë të vendimmarrjes në qeverisjen e kaluar”, tha Krasniqi.

Ai e ka quajtur jo korrekt refuzimin e subjekteve që humbën zgjedhjet, koalicioni LAA dhe Vetëvendosje për t’iu përgjigjur ftesës së tyre për të diskutuar rreth platformës qeverisës, andaj kjo i ka detyruar që të flasin individualisht me deputetë të tyre, duke arritur edhe marrëveshje.

Në bazë të kësaj, Krasniqi thotë se deri në fund të muajit korrik do të formohet qeveria dhe do të bëhet konstituimi i Kuvendit.

“Unë e kam deklaruar edhe më herë që, insistimi, angazhimi dhe vullneti ynë i përbashkët, është që qeveria të votohet dhe të jetë në funksion para fundit të muajit korrik”, tha Krasniqi.

PDK ende nuk i ka caktuar as propozimet për kryetar të Kuvendit e as ata për dikasterët qeveritare. Krasniqi thotë se gjatë kësaj kohe fokusi i PDK-së ka qenë i ndërlidhur me themelimin e Qeverisë, me konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, funksionalizimin sa me të shpejtë të tyre.

Duke folur rreth një qeverie që do të ketë pak numra në Kuvend, Krasniqi tha se nuk luan rol të madh se sa deputetë do t’i ketë në mbështetje qeveria e ardhshme, por se sa do të jetë e fuqishme në marrjen e vendimeve të mëdha.

Ai shprehet i bindur se nuk do të ketë herë të dytë për krijimin e Qeverisë, pasi sipas tij, një gjë e tillë do të bëhet qysh me herën e parë.