Krasniqi: Politikanët do të lirohen nga akuzat, sapo të behet liberalizimi i vizave

Krasniqi: Politikanët do të lirohen nga akuzat, sapo të behet liberalizimi i vizave

Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar akuzat e ngritura së fundi nga Prokuroria për politikanët dhe ish-politikanët e vendit.

Krasniqi ka thënë se aktakuzat e fundit kundër politikanëve do të duhej të shiheshin si tregues i pavarësisë së sistemit të drejtësisë nga politika por, në fakt, siç ka thënë ai ato tregojnë më së miri se sa e politizuar është Prokuroria.

“Politikës po i duhet të përmbush kushtin e fundit për liberalizim të vizave, e që është luftimi i krimit dhe korrupsionit në nivel të lartë, prandaj i ka dhënë detyrë organit të akuzës që t’i vejë nën akuzë emrat e politikës, të përfolur për abuzim me detyrën zyrtare. Sikur të mos e kishim kusht të fundit, Prokuroria do t’i linte rehat “peshqit e mëdhenj”, sikur i ka lënë deri tash. Sepse, Kryeprokurori, dhe shumë nga prokurorët, janë instaluar aty për t’u bërë mburojë për politikanët abuzues”, ka shkruar Krasniqi ne Facebook.

Tutje Krasniqi ka thënë se politikanët do të lirohen nga akuzat, sapo të behet liberalizimi i vizave. “Prandaj, s’kemi pse entuziazmohemi me aktakuzat e fundit, sepse me to Prokuroria vetëm po ia bën një shërbim politikës. Ato nuk do të përfundojnë me aktgjykime dënuese. Politikanët do të lirohen nga akuzat, sapo të behet liberalizimi i vizave”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Ndryshe javë më parë Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave të dyshuar për aferën e njohur si “Pronto”. Pjesë e aktakuzës janë dy ish-shefat e deputetëve të PDK’së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti, Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, Ferat Shala, Njazi Kryeziu dhe të tjerë zyrtarë të të njëjtës parti.

Po ashtu javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës. Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurse sot Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro./21Media