Sipas Krasniqit një listë e saktë e votuesve mund të bëhet shumë lehtë

Sipas Krasniqit një listë e saktë e votuesve mund të bëhet shumë lehtë

Hulumtuesi i KDI-së, Albert Krasniqi ka thënë se pasaktësia e listës së votuesve në Kosovë është hallka më e dobët në gjithë procesin zgjedhor, gjë që minon besimin e publikut në zgjedhje.

Ai ka shkruar në Facebook se një listë e saktë e votuesve mund të bëhet shumë lehtë.

“Mjafton të ketë pak vullnet edhe bashkëpunim në mes të institucioneve shtetërore”, ka shkruar ai.

Sipas tij, një prej metodave të manipulimit të zgjedhjeve që është përdorur në Rusi gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, ka qenë votimi i shumëfisht (carousel voting).

Krasniqi ka thënë se personat që kanë votuar më shumë se njëherë e kanë pasur të ngjitur në pasaport një simbol të mollës, që ka qenë mesazh për komisionerët e partisë në pushtet “United Russia” që t’u jepen fletëvotimet përkundër që emrat e tyre nuk e kanë qenë në listën e votuesve.

Kryeshefi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, është shprehur i habitur që në listën e votuesve në KQZ-së, numri i banorëve me të drejtë vote është më i madh se numri i popullsisë në Kosovë. Në anën tjetër, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se ku bëhet dallimi ndërmjet listës votuese dhe regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, në listën e votuesve janë të përfshirë edhe votuesit që jetojnë jashtë vendit, por të cilët nuk janë të përfshirë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë./21Media