Reagoi Krasniqi pas deklaratës së SHBA-së

Reagoi Krasniqi pas deklaratës së SHBA-së

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit. Në një shkrim në Facebook, Krasniqi deklaroi se rrena e të shkarkuarit të djeshëm nuk ka zgjatur as 24 orë, duke iu referuar kryeminstrit në detyrë, Albin Kurti, i cili dje në seancën për shkarkimin e Qeverisë deklaroi se është i bindur që ka një marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Por, ja që rrena e të shkarkuarit të djeshëm nuk zgjati as 24 orë të plota. Sot, në një Deklaratë të përbashkët të përfaqësuesëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, konkretisht z. Richard Grenell, z. Matthew Palmer dhe Ambasadorit Philip Kosnett, thuhet “Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka marrëveshje të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Sebisë, siç kanë spekuluar disa”. Tani, më thuani, a po rren Albini, a po rren Amerika? Nëse duhet zgjedhur mes këtyre, secili shqiptar do të duhej t’i besonte Amerikës para cilitdo politikan, e le më Albinit.”, shkroi ai ndër tjerash.

Në fund, deputeti i PDK-së deklaroi se Kurti do të mbetet vetëm me një rreth të besimtarësh dhe nuk do të ketë më rol të rëndësishëm.

“Askush më mirë se Albini nuk do të duhej ta kuptonte thënien e urtë popullore: “Rrena i ka kambët e shkurta”. Por, ai aq shumë ka gënjyer e ka mashtruar prej që është në jetën publike dhe ende ka të tillë që vazhdojnë t’i besojnë. Sidoqoftë, me kohë ai do mbetet i vetëm, me një rreth të vogël besimtarësh dhe në botën e tij imagjinare të konspiracioneve, ku edhe mund t’ia jap vetes ndonjë rol të rëndësishëm, që në jetën reale nuk e ka.”, shkroi Memli.

Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./21Media