"Sot, ata u bënë avokatë të Listës Serbe. Po nesër, avokat të cilit djall do të bëhen?"

“Sot, ata u bënë avokatë të Listës Serbe. Po nesër, avokat të cilit djall do të bëhen?”

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qe gati një muaj Vetëvendosje është duke e vonuar finalizimin e procesit zgjedhor, duke bërë ankesa e presione të lloj-llojshme në institucionet përgjegjëse, sipas tij vetëm duke kalkuluar në çfarëdo forme grabitjen e ndonjë mandati shtesë për vete. Krasniqi ka thënë se “VV dolën krejt hapur në mbrojtje të të paligjshmes, dolën kundër deklarimeve të tyre të mëhershme, dolën në mbrojtje të manipulimeve me votat nga Serbia, të shtyrë vetëm e vetëm nga etja për pak më shumë pushtet”.

“Sa shpejtë i dul boja Vetëvendosjes! Më 29 tetor, Vetëvendosja me komunikatë zyrtare kërkonte anulimin e këtyre votave, duke i quajtur të jashtëligjshme, ndërsa sot me 12 nëntor i mbron ato vota të Listës Serbe, sikur të ishin votat e veta. Çka është ky veprim, nëse jo uvertyre e partneritetit të ardhshëm të partisë së Albinit me veglën e Vuqiqit? Qe gati një muaj Vetëvendosje është duke e vonuar finalizimin e procesit zgjedhor, duke bërë ankesa e presione të lloj-llojshme në institucionet përgjegjëse, vetëm duke kalkuluar në çfarëdo formë grabitjen e ndonjë mandati shtesë për vete. Sot, ndërsa, ata dolën krejt hapur në mbrojtje të të paligjshmes, dolën kundër deklarimeve të tyre të mëhershme, dolën në mbrojtje të manipulimeve me votat nga Serbia, të shtyrë vetëm e vetëm nga etja për pak më shumë pushtet”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, PDK-ja është dëmtuar më së shumti nga gabimet e këtij procesi zgjedhor. “Për shkak të gabimeve në Formularin e Rezultateve, por edhe pas rinumërimit të rreth 850 kutive në QNR, në shumicën e tyre na është rritur numri i votave nga 1 deri në 203 vota për kuti, duke na u shtuar me mijëra vota në total. Përkundër fakteve konkrete të këtij dëmtimi, ka qenë Kryetari Veseli që s’është pajtuar me kërkesën për ankimim të Shërbimit Juridik të PDK-së, me qëllimin e vetëm që të shpejtohet krijimi i institucioneve, ashtu siç ka qenë i qartë në këtë qëllim edhe natën e zgjedhjeve kur e pranoi rezultatin ende pa përfunduar mirë as numërimi preliminar. Por, vonesat që po i bën Vetëvendosje në vazhdimësi për përmbylljen e procesit zgjedhor, janë vetëm manipulime të vogla në vazhdën e manipulimeve e mashtrimeve te mëdha që do t’i nxjerrin të zhveshur nga çdo parim në javët dhe muajt që po vijnë. Sot, ata u bënë avokatë të Listës Serbe. Po nesër, avokat të cilit djall do të bëhen?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Pesë ankesa kanë shkuar në drejtim të Gjykatës Supreme rreth rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit nga ana e KQZ-së. Nga këto ankesa, një është nga kandidati për deputeti i LDK-së, një nga kandidati për deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një nga kandidati për deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve, me kërkesë të NISMA-s, si dhe ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e ardhura nga Serbia. KQZ-ja ka pranuar vendimet e PZAP-së lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion pas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor.

VV-ja dhe Lista Serbe kundërshtuan këtë vendim të PZAP-së. Ndërsa, NISMA është e bindur se do ta kalojë pragun./21Media