Krasniqi thotë se pas taksës ndaj Serbisë është rritur importi nga vendet tjera

Rriten edhe çmimet e disa produkteve

Importi i mallrave ka shënuar rritje pas vendosjes së taksës 100% për mallrat serbe dhe atyre të Bosnjës. Kështu thonë shifrat e prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

 Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, duke folur për tregtinë e jashtme, deklaron se importi i mallrave është rritur në periudhën e fundit derisa shton rritje ka pasur edhe tek çmimet e disa produkteve të konsumit.

“Rënia e importit nga shteti fqinjë verior është jashtëzakonisht i madh. Pra, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të importit, por importi i mallrave të caktuara është zëvendësuar me import nga vendet tjera. Në kuptimin e importit si total mujor, apo në këtë periudhën prej momentit të vendosjes së taksës 100 përqind, është rritë importi, por rritja është jo te fqinji verior, por tek vendet tjera që kanë ndërmjetësua mallrat të cilat dikur janë importuar nga ai(Serbia) vend”, deklaron ai.

Krasniqi po ashtu thotë se në periudhën e fundit ka edhe një ngritje të çmimeve të disa produkteve të konsumit të përditshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, për GDP-në, Krasniqi thotë se ka një rritje krahasuar me vendet e rajonit, që është pak mbi 4 përqind në dy vitet e fundit, sipas të cilit është e qëndrueshme.

“Për vitin 2017, kemi një përqindje prej pak mbi 4 përqind, por edhe në publikimin e fundit tre mujor që e kemi publikuar për tremujorin e parë të vitit 2019, është aty(pak mbi 4 përqind). Pra, kemi një rritje të qëndrueshme të GDP-së, ndërsa, është aspekt tjetër se si shfrytëzohen këto nga institucionet vendimmarrëse këto të dhëna që me politika zhvillimore të shndërrohen këto shifra të rritjes ekonomike edhe në aspektin e rritjes së vendeve të punës, në zhvillimet e sektorëve të tjerë si dhe shumë fusha të tjera”, thotë Krasniqi.

Për shkallën e papunësisë, kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi, thotë se ka një rënie të papunësisë nga 30.1 përqind në 26.9 përqind.

Sipas tij, për tre mujorit të parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë në Republikën e Kosovës është 26.9 përqind.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, pati vendosur taksën prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Back to top button