Me gjithë aferën e dyshuar të spiunazhit

Me gjithë aferën e dyshuar të spiunazhit

Zyrtarët rusë janë shprhur të bindur se marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë nuk mund të dëmtohen nga asgjë, pavarësisht zbulimit të një aferë të dyshuar spiunazhi, pas postimit në rrjetet sociale të një video regjistrimi, ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur nga gazetarët për këtë çështje tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror. Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”.

Në Beograd, presidenti serb priti ambasadorin, Alexander Bocan Harchenko, por nuk u dhanë hollësi pas takimit, ndonëse zyra e presidentit tha se takimi ishte pjesë e përgatitjeve për vizitën e tij në Moskë, në fillim të muajit të ardhshëm.

Autoritetet serbë thanë se më shumë informacione mund të jepen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që do të mbahet në orët e mbrëmjes.

Të mërkurën një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, tha se video regjistrimi i postuar me 17 nëntor në kanalin YouTube është autentik. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxori një zarf me para. Zyrtari i BIA-s serbe, Rela Zhelski, pohoi se në video shihet agjenti rus i zbulimit, Georgij

Kleban, por nuk dha asnjë hollësi për agjentin e dyshuar serb.

Rusi Kleban ishte ndihmës i atasheut ushtarak në ambasadën ruse në Beograd deri në qershor të këtij viti.

Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë./21Media